Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka treguar se në telefon të tij, kanë ardhur 113 mesazhe kërcënuese nga anëtarë e simpatizantë të VV-së, raporton Ekonomia Online.
Për një gjë të tillë ka treguar vetë ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurtit që të ndalë propagandën që po bëhet nga militantët te Vetëvendosjes.
“Z.kryeministër ndaleni propagandën, 113 smsa i kam marrë deri tash. Edhe prej Zvicrës kanë nis mem ardhur mesazhe”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, ku tha se nuk ka mundur t’i nxjerrë transkriptet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Këshilli i Sigurisë edhe nëse doni të merrni informata nuk ju lejon. Mbledhjet në këtë Këshill janë konfidenciale edhe telefonat nuk ju lejojnë brenda. Vetëm fleta e bardhë që është aty edhe kur të përfundojë ju e lëni aty”.
“Sa i përket shkarkimit të Agim Veliut, nuk vendos qeveria për gjendje të jashtëzakonshme, por Kuvendi vendos, kështu që ju lutem lerën këto deklarata”, tha Selmanaj në replikën e tij ndaj kryeministrit Kurti.
Ndërkohë, në një grup në Facebook të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje janë publikuar numrat e telefonave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në atë grup është kërkuar që t’iu dërgohen mesazhe të gjithë deputetëve që të mos e votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.