Jo çdo person që preket nga meningiti ka pasoja fatale për jetën. Pas një rasti të konfirmuar dhe një tjetri të dyshuar me këtë sëmundje, mjekët qetësojnë popullatën.
Shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo tregon se jemi në një situatë të zakonshme të meningjitit, ndërsa gripi po shënon rritje të të prekurve.
“Gjatë 12 muajve të vitit kemi pasur raste meningitis. Jo çdo person që preket nga meningjiti humb jetën. Meningjiti bacterial hyn në infeksionet që ka vdekshmërinë shumë të lartë”, thotë Çomo, transmeton A2
Bakteri që shkakton meningitin merret nga personat mbartës përmes pështymës dhe ajrit. Askush nuk është i mbrojtur, por gjithçka varet nga imuniteti. Në lidhje me meningitin, infeksionistja Çomo nuk rekomandon vaksinimin në këtë situatë: “Nëse shqiptarët shkojnë në vende ku sëmundja është shumë e përhapur, janë të detyruar që ta bëjnë vaksinën. Por, në një vend si Shqipëria, ku kemi shumë pak të prekur, nuk mund të vaksinohet e gjithë popullata”.
Në kohën kur gripi po shton numrin e të prekurve dhe shenjat e tij fillimisht janë të ngjashme me meningitin, mjekët i bëjnë apel popullatës që për çdo shqetësim t’i drejtohen mjekut të familjes.
Këtë periudhë, edhe vendet e tjera të Europës kanë raportuar raste me meningjit, por Italia aktualisht ka numrin më të lartë të të prekurve nga infeksionet e meningokokut.