Senati i Shteteve të Bashkuara votoi për të zgjatur autoritetin e Qeverisë për huamarrje deri në dhjetor, duke shmangur kështu dështimin e saj për të paguar borxhet.
Votimi me 50 vota për dhe 48 kundër e rrit tavanin e borxhit të Qeverisë amerikane për gati gjysmë trilioni dollarë.
Masa pritet të kalojë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe pse nuk është e qartë se kur do të zhvillohet votimi, ndërsa pastaj do t’i kalojë presidentit Joe Biden për nënshkrim.
Ligjvënësit do të duhet t’i adresojnë dallimet e tyre deri më 3 dhjetor, kur skadon masa e përkohshme.
Senati ka qenë nën presion për të votuar për rritjen e kufirit të borxhit, pasi Departamenti i Thesarit ka paralajmëruar se nëse Kongresi nuk e bën këtë deri më 18 tetor, Shtetet e Bashkuara do të përballen me një dështim historik në pagesën e borxheve – gjë që do të pasohej nga një krizë financiare dhe recesion ekonomik.
Masa nuk mbështetet nga disa republikanë, të cilët thonë se niveli i borxhit të vendit – i rritur në 28.9 trilionë dollarë – është i paqëndrueshëm.