Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se Serbia duhet ta arrestojë Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë më 24 shtator. Sipas saj, Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çëtshtje.
“Unë pata mundësinë që të takohem me presidentin Vuçiq sot në mëngjes. Me kryeministrin Kurti u takova dje dhe një nga gjërat që mendoj se duhet të ndodhë është që ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta fusin në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij në atë çfarë ndodhi më 24 shtator. Tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime dhe ai duhet të japë llogari për këtë. Serbia dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për këtë”, tha senatorja demokrate në një panel diskutimi mbi Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Në një panel bashkë me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se është e rëndësishme që SHBA dhe BE të mbajë fokusin në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë Kosova me Serbinë, Bosnja apo edhe zgjerimi i BE-së.
“Gjatë një viti e gjysmë të fundit po ndërtojmë një koalicion në senat për të njohur se na duhet të mbështesim përpjekjet në Balkanin Perëndimor. Nuk mendoj se mund t’i largohemi [rajonit] sepse e kemi bërë këtë për një kohë shumë të gjatë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. U vendos paqja, në rregull. Çdo gjë është në rrugën për t’u bërë demokraci, për t’u kryer reformat dhe i hodhëm sytë diku gjetkë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë gjë tani. Na duhet të përqendrohemi dhe të mbesim të përqendruar tek ajo çfarë duhet të ndodhë. Mendoj që SHBA duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekje”.
Ajo tha se të qenit në BE është siguri për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kontinentin. Prandaj, ajo thotë se si një mbështetëse e presidentit Joe Biden, do ta nxisë administratën e tij ta mbështesë këtë rajon.
“Unë do të vazhdoj ta nxis Administratën Biden. Unë jam demokrate dhe mendoj që jam një mbështetëse e mirë e Biden dhe dua të shoh të bëjnë gjithçka që ne mundemi për të mbështetur përpjekjet e Ballkanit Perëndimor”./GE