Plot 20 skuadra të njohura të Evropës edhe zyrtarisht kanë shprehur interesim për sulmuesin e Red Bull Salzburgut, norvegjezin Erling Haaland. Drejtuesit e ekipit austriak tashmë kanë marrë ofertat zyrtare për Haalandin, i cili mund të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit. Në mesin e shumë ofertave, Juventusi ka ofruar dëmshpërblimin më të lartë deri më tash.
Kampioni i Italisë, është i gatshëm të paguajë 40 milionë euro për sulmuesin 19-vjeçar, që po shkëlqen këtë edicion me fanellën e Red Bull Salzburgut. Sensacioni norvegjez ka realizuar 22 gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 15 ndeshje në të gjitha garat. Ai me Salzburgun ka kontratë deri në vitin 2024, kurse në radhët e tij u transferua në janar të këtij viti nga Molde e Norvegjisë, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi marrë më shumë se 20 oferta zyrtare për Haalandin, gjë që nuk është aspak e habitshme për klubin tonë, pasi është pritur një shpërthim i tij këtë edicion. Klubi nuk është i interesuar ta shesë Haalandin në janar, ai do të qëndrojë deri në fund të edicionit përpara se t’i shqyrtojmë të gjitha ofertat për të. Në verë, çdo opsion është i mundur, pasi presioni do të jetë edhe më i madh”, ka thënë trajneri i Salzburgut, Marco Rose.