Separatistët rrëmbejnë konvojin me 64 miliardë rijalë në jug të Jemenit

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Separatistët në jug të Jemenit e kanë rrëmbyer një konvoj me 64 miliardë rijalë jemenas, shumë që ishte nisur për t’u dërguar në Bankën Qendrore të vendit në Aden.

Forcat besnike të Këshillit Kalimtar Jugor, të cilat e shpallën autonominë në Aden në prill të këtij viti, e morën nën kontroll konvojin me shumën e madhe të parave pasi ai u nis nga porti. Kështu njoftoi përmes një deklarate Banka Qendrore e Jemenit.

Separatistët rrëmbejnë konvojin me 64 miliardë rijalë në jug të Jemenit

Një burim qeveritar tha se bankënotat e rrëmbyera ishin të prodhuara në Rusi me porosinë e Bankës Qendrore të Jemenit. Një burim tjetër qeveritar tha se të hollat janë dërguar në një bazë ushtarake në atë që e quajti piratëri.

“Ky aksion është pjesë e disa masave për t’u dhënë fund burimeve të korrupsionit dhe për ta parandaluar përdorimin e parasë publike për përkrahje të terrorizmit”, thuhet në një deklaratë të Këshillit Kalimtar Jugor.

Ky veprim mund ta kërcënojë paqen e brishtë që është vendosur mes këtij këshilli dhe qeverisë së përkrahur nga Arabia Saudite. Këshilli Kalimtar Jugore e akuzon qeverinë e përkrahur nga Arabia Saudite për keqmenaxhim dhe korrupsion.

Të ngjashme