Serbët e Beogradit e pranojnë pavarësinë e Kosovës (Video)

Prishtinë | 08 Pri 2017 | 12:50 | Nga

Ndryshe nga zyrtarët shtetëror në Serbi, qytetarët e Beogradit e pranojnë realitetin e ri në Kosovë.

Disa qytetarë të intervistuar nga emisioni “Udhëve” në RTK, janë shprehur kundër politikës në Serbi.

Ata thonë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosoves dhe se institucionet në Beograd duhet t’i kërkojnë falje Kosovës për viktimat civile të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998-99.

Ata kritikojnë qasjen që e kanë institucionet e Serbisë karshi Kosovës. Për ta, pak ka rëndësi nëse Kosova është shtet i pavarur apo jo, por sipas tyre është e rëndësishme që Serbia të pranoj këtë realitet dhe të marrë përgjegjësi për të bëmat e së kaluarës.

Susic: Ka shumë urrejtje të panevojshme mes shqiptarëve dhe serbëve

RTK: A mund të më thoni si i shihni raportet mes shqiptarëve në Kosovë dhe serbëve në Serbi?

Vladana Sushiq: Mendoj se ka shumë urrejtje të panevojshme mes tyre. Të gjithë jemi njerëz dhe s’kemi nevojë ta urrejmë njëri tjetrin.

RTK: Ju mendoni se duke u nisur nga fakti se jemi njerëz ne duhet të jetojmë së bashku në paqe?

Vladana Sushiq: Po. Jo bashkë por mund të jetojmë jetët tona dhe të mos ngatërrohemi aq shumë me të tjerët.

RTK: Sipas mendimit tuaj si serbe, si e shihni Kosovën, siç e dini Kosova është një vend i pavarur.

Vladana Sushiq: Në rregull.

RTK: E shihni si të tillë?

Vladana Sushiq: Nuk mendoj për atë punë, por mendoj se është vend i pavarur dhe se duhet të pajtohemi me këtë fakt.

RTK: A mendoni se Qeveria e Serbisë duhet të ndryshojë në këtë pikë?

Vladana Sushiq: Për faktin se Kosova është vend i pavarur, apo?

RTK: Po. Në fakt, a duhet Serbia ta njohë Kosovën si shtet tash? Me qëllim që të jetohet në paqe, jo me urrejtje.

Vladana Sushiq: Nuk e di. Mendoj se Serbia nuk do ta bëjë këtë sepse nuk është pajtuar me këtë fakt. Mbase do të duhej se kjo është e vërteta. Nuk mund të ndryshojë.

RTK: A mendoni se Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës me qëllim që të dy vendet të ecin para?

Vladana Sushiq: Nuk e di nëse Serbia mund të kërkojë falje, sepse nuk e di. Duhet të kërkojë falje, por nuk e di nëse Serbia do ta bëjë këtë.

RTK: Cili është mendimi juaj për raportet mes serbëve dhe shqiptarëve nga Kosova?

Katarina Jevtiq: Nuk i përcjell lajmet aq shumë, mendoj që gjendja atje është e keqe. Vetëm ma merr mendja, kam telashe të miat, fundja asnjë vend nuk i ka punët aq mirë, mendoj se medalja i ka dy anë. Mendoj se të dy palët kanë të drejtë për disa gjëra, dhe asnjëra palë nuk ka të drejtë për disa të tjera. Ky është vetëm mendimi im publik.

RTK: Si e shihni Kosovën, tash Kosova është një vend i pavarur. Cili është mendimi juaj për këtë. A e shihni ju Kosovën si një vend sovran?

Katarina Jevtiq: Nuk shoh ndonjë arsye pse duhet ta shoh ndryshe. Po të isha dikush që ka një mendim më të mbyllur ose po ta urreja dikë, me gjasë mendimi im do të ishte ‘kjo nuk është në rregull’, nuk di si ta them ndryshe.

RTK: Do të thotë se aktualisht ju e pranoni Kosovën si shtet.

Katarina Jevtiq: Po. Nuk e shoh si problem pse është shtet, nuk e kuptoj pse nuk duhet të jetë shtet.

RTK: A mendoni se Serbia duhet ta njohë Kosovën?

Katarina Jevtiq: Duhet, por mendoj se nuk do të ndodhë.

RTK: Pse?

Katarina Jevtiq: Ju e njihni Serbinë, ajo është mjaft e mbyllur.

RTK: A mendoni që për të ecur para, a duhet Serbia të bëjë diçka për t’i vënë para drejtësisë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë, pasi që ajo nuk e ka bërë këtë në të vërtetë.

Katarina Jevtiq: Natyrisht se duhet të ketë kërkim falje nga Serbia. Nuk jam aq mirë e informuar për situatën, por mendoj se nuk varet aq shumë nga kërkimi i faljes sa është me rëndësi që njerëzit t’i kuptojnë gabimet që i kanë bërë dhe që të punojnë t’i korrigjojnë ato.

Nadezda Saviq: Unë nuk mendoj fare për Kosovën

RTK: A mund të na thoni si i shihni raportet e tashme mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve në Serbi?

Nadezda Saviq: Në fakt nuk po shoh asnjë lidhje. E kam një shoqe, ajo është artiste dhe më ka treguar se i ka bërë disa ekspozita atje dhe disa shokë nga Beogradi kanë shkuar në Prishtinë për disa pajisje, kështu që janë vetëm disa veprime të pakta, në fakt unë nuk kam qenë kurrë atje, nuk kam ide se si jetoni atje. Nuk kam kurrfarë emocionesh për të. Unë vetëm kam dëgjuar nga ajo ana e pikëpamjes së artistëve. Kjo është e tëra. Ata kanë kaluar mirë dhe kanë shokë atje tash.

RTK: Siç e dini, Kosova tash është një vend i pavarur, si e shihni Kosovën si qytetare e Beogradit, a e shihni Kosovën si vend sovran tash?

Nadezda Saviq: Në të vërtetë nuk mendoj fare për të. Nuk e di. E di se është por nuk kam ide për të.

RTK: Çfarë mendoni se të dy vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të bëjnë për ta arritur një marrëveshje paqësore dhe që të ketë më pak urrejtje mes dy komuniteteve?

Nadezda Saviq: Mbase duhet të fillojnë ta njohin njëri tjetrin. Nuk e di, ndoshta përmes kulturës, për t’i bërë disa gjëra së bashku.

RTK: Nuk e di a jeni e informuar për luftën e vitit 1998-1999.

Nadezda Saviq: Po, po.

RTK: Ka pasur më shumë se 13,000 civilë të vrarë nga forcat serbe. A mendoni se Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës.

Nadezda Saviq: Ne nuk kemi pasur rast t’i dëgjojmë këto shifra, këtë të vërtetë.

RTK: Kur mendoi se do të vijë ky moment?

Nadezda Saviq: Kur ta gjejmë dikë të mençur në krye të shtetit. Nuk e di.

RTK: Kështu që ju nuk pajtoheni me politikën aktuale?

Nadezda Saviq: Aspak.

RTK: Aspak. A duhet Serbia ta njohë Kosovën?

Nadezda Saviq: Mbase po. Pse jo.

Qëndrime të ngjashme kanë edhe shumë serb të cilët jetojnë në Kosovë. Qasja e Beogradit zyrtarë karshi Kosovës, ka bërë që sidomos integrimi i veriut të Kosovës, të jetë njëra nga sfidat kryesore për institucionet e vendit. Presioni i institucioneve serbe, ka shkaktuar edhe telashe të integrimit të serbëve të Kosovës në shoqërinë kosovare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme