Në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë hapur dyert e vendvotimeve në Serbi për votim në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.
Sipas raportimeve në mediat serbe, qytetarët që kanë të drejtë vote mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në më shumë se 8 mijë qendra votimi, të cilat pritet të jenë të hapura deri në orën 20:00.
Referendumi i Serbisë për ndryshimet e Kushtetutës në pjesën e gjyqësorit, ka nxitur reagime edhe në Kosovë, pasi që Serbia kishte planifikuar që ta organizojë referendumin edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo është kundërshtuar nga institucionet e Kosovës, ku dje kryeministri Albin Kurti ka thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të votuar Rezolutën që nuk do të lejonte mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Rezoluta është votuar me shumicë votash dhe thekson se organizimi i një referendumi nga një shtet i huaj në vendin tonë është kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, edhe pse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte kërcënuar se megjithatë serbëve të Kosovës do t’ju mundësohet gjithashtu pjesëmarrja në votim, në orët e vona të mbrëmjes, Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, vendim ky që erdhi pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.