Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kujdes të kushtëzuar ndaj komunitetit serb në Kosovë, duke iu referuar fjalëve të politikanit opozitar serb, Dragan Đilas, i cili tha para disa ditësh se serbët e Kosovës po dërgohen në Beograd për të votuar si banorë të kryeqytetit serb.
Opozita serbe në Beograd akuzon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe partinë e tij (SNS) për mashtrime me zgjedhjet në kryeqytetin serb në fund të vitit të kaluar, dhe se këtë po e bën edhe për zgjedhjet që do të përsëriten në qershor.
“Të gjithë qytetarët e komunitetit serb, sikurse ata në pjesën tjetër të vendit, marrin pensione për mirëqenien e tyre nga qeveria e Kosovës. Sigurimi i pensioneve të Vuçiqit, përveç atyre nga qeveria e Kosovës, për komunitetin serb duket se nuk ka të bëjë me mirëqenien e tyre; ka të bëjë me mirëqenien e TIJ. Kujdesi i tij për komunitetin serb në Kosovë është i kushtëzuar dhe i bazuar në dobi”, shkroi Zulfaj në “X”.
Zulfaj citoi ish-kryetarin e Beogradit, që në një intervistë tha se serbët e Kosovës po detyrohen ta ndryshojnë vendbanimin e tyre që të mund të votojnë në kryeqytetin serb.
“Në një intervistë të bërë rreth dy javë më parë për median “Insajder” në Serbi, ish-kryetari i Beogradit dhe deputeti i Kuvendit Popullor, Dragan Đilas, ka thënë: “Nuk e di nëse shikuesit tuaj janë të vetëdijshëm se çdo ditë një furgon PIO (Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore) shkon në Mitrovicë (Kosovë). Ata sjellin qytetarët këtu (Serbi) dhe ata ndryshojnë vendbanimin e tyre që të mund të votojnë për kandidatin e Vuçiqit në Beograd”, shkroi Zulfaj.
All citizens from the Serb Community, like those in the rest of the country, receive pensions for their well-being from the government of Kosova.
Vucic’s provision of pensions, in addition to those from the Kosova government, to the Serb Community seems not to be about their…
— Jeton Zulfaj (@JetonZulfaj)March 26, 2024