“Ndihemi si të huaj në tokën tonë”, “Nuk ekzistojmë poshtë”, kështu e cilësojnë faktin serbët e Mitrovicës që sot duhej të shkonin në Rashkë, për të votuar në zgjedhjet e Serbisë, shkruan Danas.
Pavarësisht gjithçkaje, sipas mediumit serb, ata shpresojnë për më të mirën.
Serbët e Kosovës sot udhëtojnë nga shtëpitë e tyre për të votuar në një nga katër qytetet në Serbi: Rashkë, Tutin, Bujanoc dhe Kurshumli.
“Shpresojmë se do të jetë më mirë se sa ishte”, tha një serb nga Mitrovica pasi hodhi votën e tij.
“Ne nuk ekzistojmë më poshtë, kur nuk mund të votojmë në qytetin tonë. Gjithçka është e qartë, nuk keni nevojë për shumë histori këtu. Shqiptarët nga Kosova donin dhe e bënë këtë”, shtoi ai.
Një tjetër serb konsideron se votimi i serbëve nga Kosova jashtë territorit të Kosovës është i gabuar.
“Ndihemi si të huaj në tokën tonë. Ky është një hap tjetër për t’i detyruar serbët të largohen nga vendbanimet, qytetet, fshatrat dhe vatrat e tyre”, tha ai.
Qeveria Kurti vendosi që zgjedhjet e Serbisë mos të lejohen të mbahen në territorin e Kosovës.