Serbët e Mitrovicës të dëshpëruar që s’u lejuan të votojnë në Kosovë

Prishtinë | 03 Pri 2022 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

“Ndihemi si të huaj në tokën tonë”, “Nuk ekzistojmë poshtë”, kështu e cilësojnë faktin serbët e Mitrovicës që sot duhej të shkonin në Rashkë, për të votuar në zgjedhjet e Serbisë, shkruan Danas.

Pavarësisht gjithçkaje, sipas mediumit serb, ata shpresojnë për më të mirën.

Serbët e Kosovës sot udhëtojnë nga shtëpitë e tyre për të votuar në një nga katër qytetet në Serbi: Rashkë, Tutin, Bujanoc dhe Kurshumli.

“Shpresojmë se do të jetë më mirë se sa ishte”, tha një serb nga Mitrovica pasi hodhi votën e tij.

“Ne nuk ekzistojmë më poshtë, kur nuk mund të votojmë në qytetin tonë. Gjithçka është e qartë, nuk keni nevojë për shumë histori këtu. Shqiptarët nga Kosova donin dhe e bënë këtë”, shtoi ai.

Një tjetër serb konsideron se votimi i serbëve nga Kosova jashtë territorit të Kosovës është i gabuar.

“Ndihemi si të huaj në tokën tonë. Ky është një hap tjetër për t’i detyruar serbët të largohen nga vendbanimet, qytetet, fshatrat dhe vatrat e tyre”, tha ai.

Qeveria Kurti vendosi që zgjedhjet e Serbisë mos të lejohen të mbahen në territorin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme