Edhe pse është anëtarësuar qe katër vjet në UEFA e FIFA, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk po gjen dot mbështetje nga këto dy organizata për t’i ndaluar ndërhyrjet e egra të Serbisë brenda kufijve të futbollit kosovar. Vet rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s ua ndalojnë shteteve anëtare të tyre ndërhyrjet në nj njëra-tjetrën sa i përket futbollit, raporton Gazeta Express.
Por, këto rregulla nuk po zbatohen në rastin e Kosovës, ku klubet e serbëve të këtushëm kaherë nuk e njohin Federatën e Futbollit të Kosovës, duke garuar nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë, me çka nënkuptohet se brenda territorit të Kosovës zhvillohen gjithnjë gara të futbollit serb.
Ndërsa, pala serbe tashmë e ka shtuar ofanzivën. Televizioni T7 ka raportuar se Serbia po vazhdon me investime të mëdha financiare në Mitrovicën e Veriut dhe në kuadër të këtyre investimeve në këtë pjesë të Kosovës tashmë serbët e kanë filluar procesin e ndërtimit edhe të një stadiumi, i cili do t’iu shërbejë serbëve të këtushëm për t’i zhvilluar ndeshjet në kuadër të garave serbe.
Në anën tjetër, federata e Kosovës – e udhëhequr nga Agim Ademi – rezulton krejtësisht e pafuqishme, e madje po i mungon edhe përkrahja e UEFA-s e FIFA-s, të cilat assesi nuk po ndërhyjnë për ta parandaluar ndërhyrjen e paprecedent të Serbisë në futbollin kosovar, shkruan Gazeta Express.
“Ne vazhdimisht i kemi njoftuar UEFA-n e FIFA-n për të gjitha ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë përmes futbollit. I kemi njoftuar detajisht dhe për secilin rast. Ne iu kemi drejtuar disa herë edhe organeve të shtetit tonë. Ne nuk kemi çka të bëjmë, le t’i ndal shteti, ne kërkojmë nga shteti që t’i ndal”, deklaroi për Gazetën Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
FFK-ja prej vitesh ka bërë përpjekje t’i inkuadrojë nën ombrellën e saj klubet e serbëve të Kosovës, por ka dështuar total, ndonëse nënkryetar e ka edhe një përfaqësues të komunitetit serb.