Serbët protestojnë te ura mbi Bistricë, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre – Nënshkruajnë peticion për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga Veriu

Prishtinë | 12 Pri 2023 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Serbët kanë bllokuar rrugët pranë urës së Bistricës në veri, në shenjë proteste pas plagosjes se një qytetari serb gjatë natës së të hënës.

Sipas Kontakt Plus Mitrovica, janë mbledhur më shumë se 1000 qytetarë, përfshirë edhe punonjës të institucioneve. Në afërsi të pikës policore, qytetarët po nënshkruajnë një peticion duke kërkuar që njësitë speciale të PK-së të tërhiqen nga veriu i Kosovës.

Protestës po i prin Marina Jovanoviq, bashkëshortja e Milan Jovanoviqit, i cili është plagosur dje. Qytetarët thuhet se kanë ardhur me automjete private, por edhe në mënyrë të organizuar, nga Zveçani dhe Mitrovica e Veriut.

Ata kanë mbajtur edhe pankarta me mbishkrimin “Ikni nga këtu” “Evropë, po na qëllojnë”, e të tjera.

Në vendngjarje kanë dalë Policia e Kosovës, si dhe EULEX-i.

Të hënën në mbrëmje, një person i komunitetit serb është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është thënë se i dyshuari nuk kishte ndaluar pas sinjalizimit nga policia dhe me këtë rast është shtënë me armë zjarri ndaj tij.

Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar për këtë rast, ndërsa janë duke u kryer hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.

(Foto: Kontakt Plus Mitrovica)

Të ngjashme