Autoblinda si kjo e KFOR-it kanë qenë të vendosura në së paku tri lokacione përgjatë rrugës që shpie në kufirin me Serbinë, në pikëkalimin në Jarinje.
Automjete të këtij misioni ushtarak janë parë duke qarkulluar në disa raste në magjistralen që lidh Mitrovicën, Leposaviqin e Jarinjën.
Disa metra larg pikës kufitare, edhe misioni i EULEX-it e vëzhgonte situatën.
Prania e shtuar e misioneve ndërkombëtare është parë pas hyrjes në fuqi të shkallës së parë të sanksionimit ndaj ngasësve të veturave me targa ilegale të Serbisë.
Qortimet, që shqiptonte Policia e Kosovës, nuk u bënin përshtypje serbëve.
“Për mua është vetëm një letër, nuk më bën përshtypje. Do të vazhdoj t’i mbaj tabelat me KM. Nuk do t’i ndryshoj kurrë”, tha një qytetar.
“Po e kam marrë fletëqortimin. Nuk e di çka do të thotë sepse nuk e kam lexuar. Do ta lexoj kur të shkoj në shtëpi, Nuk është automjeti im, nuk e di nëse institucioni do ta regjistrojë në targa RKS. Si do të bëhet duhet ta dinë Vuçiq dhe Kurti, askush tjetër”, tha një qytetar tjetër.
“Nuk e di se çfarë do të thotë drejtori për këtë, mirëpo është çështje politike dhe besoj që nuk do i ndryshoj, pavarësisht që është institucion”, tha qytetari tjetër.
Procedura e ndarjes së fletëqortimeve dhe vendosja e letrave ngjitësve në simbolet shtetërore bëri që të ketë pritje disaminutëshe për të kaluar në pikën kufitare.
Lëshimi i fletëqortimeve për poseduesit e automjeteve me targa ilegale është vetëm një nga fazat nëpër të cilat do të kalojë zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për këto targa. Pas përfundimit të periudhës trejavore sa do të zgjasë lëshimi i fletëqortimeve për serbët që posedojnë vetura me targat ilegale, ata do të mund të dënohen deri me 150 euro gjobë për posedimin e lëtyre targave.
Për dallim nga prania e shtuar e KFOR-it, në magjistralen nga Jarinja deri në Mitrovicë është parë vetëm një patrullë e Policisë e Kosovës.
Situatë e qetë ishte edhe në qendrën e Mitrovicës së Veriut të banuar me serbë. E këtu, përveç me targa ilegale, pa ndonjë telash qarkullonin edhe automjetet që në targa i mbanin të ekspozuara simbolet e Serbisë.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, të gjithë poseduesit e automjeteve me targa ilegale duhet të qortohen nga zyrtarët policorë. Përveç fletëqortimit, atyre iu kërkohet që sa më parë t’i regjistrojnë automjetet e tyre, t’i konvertojnë targat nga ilegale në ato RKS”.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk publikuan numrin e fletëqortimeve të shqiptuara ndaj ngasësve të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.