Serbia aktive me shtetet që s’e njohin Kosovën

Prishtinë | 10 Kor 2026 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Kreu i shtetit serb, Aleksander Vucic, është takuar sot me ambasadorin e Meksikës në Serbi, Carlos Felix Corona. Në këtë takim, Vucic ka thënë se kanë diskutuar edhe për çështjen e pavarësisë së Republikës Kosovës, duke e falendëruar Meksikën që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“E falënderova Meksikën për qëndrimin e saj parimor dhe mbështetjen e vazhdueshme për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, si dhe për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.

Ne e vlerësojmë shumë një marrëdhënie të tillë dhe besojmë se do të vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunim politik, ekonomik, kulturor dhe çdo bashkëpunim tjetër me interes të ndërsjellë.Shpresoj që së shpejti do të kemi mundësinë të shkëmbejmë vizita të nivelit të lartë, të cilat do të përmirësojnë më tej marrëdhëniet midis vendeve tona”, ka thënë presidenti serb Vuçiq.

Ky takim i tij me një ambasador të një shteti mosnjohës vjen dy ditë pas drekës që kryeministri serb Macut ua ka shtruar një numri të përfaqësuesve diplomatikë të shteteve që s’e njohin Kosovën.

Në këtë takim kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Marokut, Brazilit, Algjerisë, Kamboxhias, Iranit, Bosnjës dhe Hercegovinës, Argjentinës, Mianmarit, Indonezisë, Azerbajxhanit, Venezuelës, Tunizisë, Palestinës, Kubës, Federatës Ruse, Irakut, Kinës, Kazakistanit, Ganës, Bjellorusisë dhe Vatikanit.

Të ngjashme