Beograd, 14 mars – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sot ka pritur në Beograd sot drejtorin e përgjithshëm politik në Foreign Officeit të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, deklaroi se Serbia menjëherë pasi Kosova të heqë taksat, siç i ka quajtur ai, anticivilizuese ndaj produkteve të Serbisë, është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.
Siç raportohet, se Moor i ka thënë Vuçiqit se nga Prishtina ka kërkuar heqjen e taksës, në mënyrë që të dyja palët të vazhdojnë dialogun.
Sipas këtyre njoftimeve, Vuçiq e ka informuar Moorin se “Prishtina nuk e ka përmbushur të vetmin detyrim nga Marrëveshja e Brukselit, e ky është formimi i Bashkësisë/Asociacionit të Komunave Serbe”.Ai citohet të ketë thënë se vendosja e taksës dhe votimi i Platformës në Parlamentin e Kosovës janë dëshmitë më të mira se Prishtina nuk e ka mendjen te dialogu, por te zgjidhjet që do të mund tëç destabilizonin gjithë rajonin.
Moor, ndërkaq, sipas raportimit të mediave të Beogradit, ka thënë se Britania pavarësisht nga Brexiti, do të jetë e përkushtuar të ndihmojë e të mbështesë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është vendimtare pët stabilitetin dhe prosperitetin e tij.
Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i tha sot drejtorit politik në Foreign Officeit të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, se Serbia është e gatshme për të vazhduar dialogun me Prishtinën me qëllim të arritjes së një kompromisi, por paraprakisht kërkon heqjen e taksës ndaj mallrave nga Serbia, transmeton Koha.net raportimin e mediave serbe.
Moore, i cili sot po qëndron në Beograd, pas vizitës dje në Prishtinë, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, angazhohet për heqjen e taksës dhe për kthim në dialog.