Serbia e ndaloi një festival kozmopolit, Kosova e lejoi festen nacionaliste të “Vidovdan”-it: A e pa këtë BE-ja?

Prishtinë | 29 Qer 2024 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Republika e Kosovës dje i ka mbajtur leksione demokracie Republikës së Serbisë. E para, ka lejuar organizimin e një manifestimi nacionalist serb në Prishtinë, ndërsa e dyta ka ndalur një festival kozmopolit në Beograd, që përkrahej nga BE-ja.

Derisa shteti serb të enjten ka ndalur festivalit tradicional, kulturor, “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili prej një dekade financohet nga BE-a, Kosova ka lejuar mbajtën e manifestimit të “Vidovdan”-it në Gazimestan.

Ndonëse ky i fundit është një manifestim nacionalist serb, institucionet e Kosovës kanë ofruar siguri të plotë edhe për serbët e ardhur nga Serbia, duke mos lejuar asnjë incident.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka bërë me dije se këto dy ngjarje tregojnë se Kosova është shoqëri dhe shtet shumë më demokratik se Serbia.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se BE-ja është dashur ta sheh këtë fakt.

“Ne Beograd u ndalua nje festival kulturor kozmopolit, gati ne frymen e ish vllaznim-bashkimit. Ne Prishtine(Gazimestan) u lejua e u mbajt nje tubim klero-fashist serb, ku pati primitivizem klero-fashist, por qe kaloi pa incidente. Pra, ne Serbi nuk lejohet nje aktivitet kulturor me fryme pajtimi, qe do te thote se Serbia eshte shtet me ideologji fashiste. Ne Kosove lejohet nje tubim me fryme urrejtjeje e hakmarrjeje, qe esencialisht do te thote se Kosova eshte shtet demokratik. Nuk e kam te qarte a e bejne kete dallim ne Bashkimin Evropian. Nese nuk e bejne, bejne poshtërsi”, ka shkruar Krasniqi.

Bashkimi Evropian i ka parë gjithë këto zhvillime që flasin shumë, por duket që nuk i ka bërë shumë përshtypje.

Në një reagim për media, Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për anulimin e këtij festivali, duke mos dhënë ndonjë qortim të ashpër për shtetin serb.

“Zhgënjyese kur mësuam se festivali “Mirëdita, Dobar Dan” i financuar nga BE-ja, që zhvillohet që nga viti 2014, u ndalua sot. Kjo iniciativë e lavdërueshme e OSHC-ve ndërton ura ndërmjet popujve, një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të normalizimit Beograd-Prishtinë.”, është në reagimin e BE.

Çka tha Kurti?
Për anulimi e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” më i ashpër ka qenë kryeministri Albin Kurti.

Para kabinetit të ministrave, Kurti ka thënë se sa herë ka takime në Bruksel, Serbia ndërmarr veprime destrkutive.

“Hera e parafundit kur u takuam ishte 14 shtatori i vitit të kaluar. Vetëm 10 ditë pas atij takimi ndodhi sulmi në Banjskë. Kësaj here, një ditë pas takimit, Serbia ndaloi mbajtjen e festivalit tradicional, kulturor, “Mirëdita, Dobar Dan”, një festival ky me një histori 10-vjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit e bashkëpunimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia.”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar edhe për shfaqjen kosovare që ishte parë për edicionin e këtij viti të festivalit.

“Në mesin e shfaqjeve në këtë festival, ishte paraparë të jetë edhe shfaqja “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Kushtrim Koliqit. Kjo shfaqje, përveçse e jashtëzakonshme për nga skenari dhe performanca e aktorëve, Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi, është e jashtëzakonshme, sidomos për audiencën në Beograd, edhe për faktin se trajton çështjen e personave të pagjetur dhe të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Një plagë, e cila ende kullon në shoqërinë tonë. E kush do ta besonte, që 35 vjet pas fjalimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në përvjetorin e të ashtuquajturës “Beteja e Kosovës” në vitin 1989, zëdhënësi i tij, tash ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq do ta nderonte edhe më tej trashëgiminë e mosdurimit dhe armiqësisë së regjimit të tij ndaj Kosovës”, ka vlerësuar Kurti.

Ai ka tregua se me veprime të tilla Serbia po tregon se nuk dëshiron të shkëputet nga mentaliteti i Millosheviqit.

“Sot, kur Serbia do të duhej të distancohej nga ai fjalim makabër, pikërisht në 35-vjetorin e mbajtjes së tij, e që ishte edhe dëshmi në Tribunalin e Hagës kundër Millosheviqit, ajo po i bënë vepër ato fjalë të tij. Edhe një herë, edhe në një rast tjetër edhe një formë më shumë, në të cilën Serbia po e shfaqë shovinizmin e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me normalizim, paqe, drejtësi dhe pajtim”, ka thënë ai.

Të ngjashme