Me vendim të Serbisë, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi.
Ky vendim është marrë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast është lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Zveçani të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës.
Gazeta Sinjali ka siguruar listat e Entit për Shëndetësi Publike të Serbisë dhe Stacionit Policor të Leposaviqit, të cilat përmbajnë emrat e personave që janë urdhëruar të vetizolohen.
Këto dokumente i referohen shtetit të Kosovës si “Kosovo i Metohija”.
Në këto lista janë emrat e 210 qytetarëve nga Komuna e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leopsaviqit, Graçanicës dhe Parteshit, të cilët do të duhet ta zbatojnë këtë vendim.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me policinë në veri në lidhje me vendimin që Mitrovica e Veriore dhe Zveçani të vendosen në karantinë, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Në katër komunat veriore të Kosovës deri më tani janë raportuar 12 raste me Coronavirus si dhe është shënuar një viktimë.
Në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë të gjitha mostrat e personave që konsiderohen potencialisht të infektuar, dërgohen në Institutin për virusologji, vaksinë dhe serum “Torlak“ në Beograd. Ndërkohë, para disa ditëve, Shtabi i Krizës në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se të gjithë të prekurit me koronavirus do të dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Nishit në Serbi.