Serbia, përmes institucioneve paralele të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë (REL).
Siç shihet nga dokumentacioni, sistemet e video-mbikëqyrjes të markës kineze Dahua, të cilat Serbia i blen për shkollat në Kosovë, kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrave.
Sipas Departamentit të Tregtisë së SHBA-së, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019, gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të ndërlidhjes së saj me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit kundër ujgurëve në provincën kineze të Xinjiang.
Më 16 dhjetor, Organi i përkohshëm i Komunës së Gjilanit në Kosovë, institucion ky i menaxhuar nga strukturat serbe dhe që nga autoritetet e Kosovës njihet si institucion paralel, ka lidhur kontratë për prokurimin e këtij sistemi për video-mbikëqyrje me Neva Company 2020 DOO, me seli në Ranillugë, po ashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas kontratës, kompania ka marrë përsipër të dorëzojë, instalojë dhe vërë në funksion pajisjet e mbikëqyrjes me video brenda 30 ditëve.
Siç shihet nga dokumentacioni, mjetet janë siguruar me vendim të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë. Vlera e kontratës së nënshkruar është rreth 39 mijë euro (4.587.480 dinarë).
Siç shihet nga dokumenti për përcaktimin e specifikimeve të prokurimit, i cili është pjesë e një pakete më të gjerë të publikuar në portalin zyrtar të prokurimit publik në Serbi, Organi i përkohshëm i Komunës së Gjilanit është duke prokuruar 30 copë regjistrues tetëkanalësh Dahua DVR.
Në karakteristikat e këtij sistemi, ndër të tjera, theksohet “njohja e fytyrës”.
Siç shpjegohet, kjo është një “teknologji tipike”, e cila përdoret në aplikacione të ndryshme dhe mundëson kërkimin apo identifikimin e individëve.
Gjithashtu, objekt i prokurimit publik janë 196 copë Dahua Bulet Camera, me rezolucion pesë megapiksel, 30 hard disqe dhe 9 mijë metra kabllo.
Siç shihet aty, po ashtu janë duke u blerë pajisje për gjithsej 30 objekte, që përfshijnë institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe ato të mesme në 12 komuna të Kosovës.
Deri në publikimin e këtij teksti, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse i ka njoftuar autoritetet e Kosovës për prokurimin, se ku saktësisht do të vendosen pajisjet monitoruese dhe për çfarë qëllimi do të përdoren.
Serbia vazhdon të ndajë dhjetëra milionë euro në vit nga buxheti i saj për financimin e institucioneve paralele dhe për realizimin e aktiviteteve të saj në Kosovë.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por autoritetet në Serbi refuzojnë ta pranojnë atë si shtet.
Dahua Technology e Kinës është në mesin e kompanive që janë nën sanksionet e SHBA-së.
Siç thuhet, autoritetet amerikane kanë deklaruar në vitin 2019 se Dahua është ndër kompanitë në listë që i ndalohet të bëjë biznes me kompani amerikane.
“Konkretisht, këto entitete janë të përfshira në shkeljet dhe keqpërdorimet e të drejtave të njeriut në fushatën kineze të represionit, ndalimit masiv arbitrar dhe mbikëqyrjes përmes teknologjisë së lartë të ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve tjerë të grupeve të pakicës myslimane në Xinjiang”, tha Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, në tetor të vitit 2019, ka transmetuar Bloomberg.
Kosova mban marrëdhënie të fuqishme diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin ndër të parat që njohën pavarësinë e vendit.
Institucionet e Kosovës kryesisht heshtin ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për importin e video-mbikëqyrësve të markës Dahua, e cila është në listën e zezë amerikane.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) është përgjigjur shkurt, duke thënë se “për momentin, nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje”.
Nga Qeveria dhe nga Policia e Kosovës nuk janë kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje, deri në publikimin e këtij teksti.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Doganës së Kosovës me pyetjet se a janë kamerat Dahua në listën e zezë, cila është procedura për importimin e këtij lloji të video-mbikëqyrësve dhe nëse Kosova e ndjek listën e zezë të SHBA-së sa i përket teknologjisë. Megjithatë, përgjigja nuk erdhi.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Qeverisë së Kosovës thonë se shumica e institucioneve arsimore në Kosovë janë të pajisura me video mbikëqyrjeje, por se nuk ka ligj të veçantë që e rregullon këtë çështje.
Në anën tjetër, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e Kosovës theksojnë se video-mbikëqyrja, që identifikon individët, nuk guxon të vendoset në asnjë institucion dhe se vetëm policia ka të drejtë t’i përdorë ato “në raste të veçanta”.
Kjo është një agjenci e pavarur përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë.
Nga kjo agjenci thonë se kanë lëshuar leje për instalimin e kamerave CCTV në shkollat e Kosovës, por theksojnë se kamerat e tilla janë të sigurta, sepse imazhi nuk mund të transmetohet në telefon apo ndonjë pajisje tjetër.
“Janë instaluar vetëm për sigurinë dhe vetëm në korridore (të shkollave) dhe para tyre”, thonë nga AIP-i.
Mirëpo, siç thonë ata, nuk e dinë nëse përdoren dhe cilat kamera përdoren në shkollat në mjediset e banuara me serbë, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë, sepse deri më tani nuk kanë pasur staf për të monitoruar për këtë çështje.
“Kuvendi i Kosovës, në fund të korrikut ka emëruar një komisioner (për komunitetin serb) në kuadër të Agjencisë, ndërkaq që për inspektim shkojmë vetëm nëse marrim ndonjë ankesë”, kanë thënë ata, duke shtuar se është planifikuar edhe inspektim i rregullt në të gjitha institucionet në mbarë Kosovën.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë në këtë moment të vlerësohet se çfarë ndikimi mund të kenë ndaj Kosovës kamerat kineze Dahua. Ai konsideron që Kosova tani duhet të identifikojë kanalin e komunikimit ndërmjet serbëve nga Kosova dhe vendeve tjera, produktet e të cilave janë të sanksionuara nga SHBA-ja.
Ai thekson se Serbia, përmes Listës Serbe, po i realizon synimet e saj në Kosovë dhe vlerëson se kjo parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës më së paku kujdeset për interesat e komunitetit të saj.
Lista Serbe është formuar me mbështetjen e Beogradit dhe është e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vrajolli konsideron që Kosova duhet patjetër të ndjekë listën e zezë amerikane dhe shton se lista të tilla “nuk janë gjithmonë një gjë e keqe për rajonin”.
“Njerëzit që gjenden në listën e zezë, paraqesin kërcënim për sundimin e ligjit, janë të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në disa raste nxisin edhe destabilitetin politik”, thotë Vrajolli, duke shtuar se SHBA-ja lufton ndaj personave dhe shteteve të tilla, pikërisht duke vendosur sanksione.
Kryetari i Organit të përkohshëm komunal të Gjilanit, të cilin e financon Beogradi, Sasha Millosheviq, nuk ka qenë i qasshëm për një deklaratë për prokurimin e video- mbikëqyrësve të markës kineze Dahua.
Përgjigje nuk ka dhënë as Davor Petkoviq, kryesuesi i Qarkut të Anamoravës së Kosovës, institucion po ashtu paralel që përfshin komunën e Gjilanit dhe që funksionon në sistemin e Serbisë.
Neva Company 2020 DOO, me të cilën është lidhur kontrata për prokurimin dhe instalimin e sistemeve të mbikëqyrjes me video, është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimeve të Bizneseve të Serbisë më 10 shtator të viti 2021, vetëm tre muaj para se t’i jepej puna përmes prokurimit publik.
Në faqen e internetit të Agjencisë thuhet se selia e saj është në Ranillug të Kosovës.
Por, kjo kompani nuk është e regjistruar në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Millosh Gjorgjeviqin nga Ranillugu, i cili konfirmoi se është pronar i kësaj kompanie, ndonëse në regjistrin në Serbi thuhet se pronare është Millena Gjorgjeviq.
Millosh Gjorgjeviq nuk ka dashur të japë asnjë informacion shtesë, duke thënë se është i zënë dhe se pyetjeve do t’iu përgjigjet përmes adresës elektronike. Deri në publikimin e këtij teksti, përgjigjet ai nuk ka kthyer përgjigje.
Në faqen e Agjencisë për regjistrimin e bizneseve të Kosovës, shihet se Millosh Gjorgjeviq është edhe pronar i kompanisë P.T.P. “DZNET” në Ranillug, e cila merret me riparimin dhe shitjen e teknologjisë.
Agjencia për regjistrimin e bizneseve operon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës dhe është institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e subjekteve afariste në Kosovë.
Departamenti i Shtetit, në përgjigjen ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, ka thënë se po punon për të zhvilluar parime për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së mbikëqyrjes, në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët.
“SHBA-ja po punon me aleatët dhe partnerët në iniciativën për hartimin e parimeve për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së mbikëqyrjes nga qeveria, në përputhje me vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti i Shtetit thekson se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut të anëtarëve të grupeve pakicë”.
Ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), të cilat dënojnë Kinën për shkeljen e të drejtave të njeriut të ujgurëve, Serbia i ka qëndruar afër Pekinit zyrtar në skenën ndërkombëtare, i cili mohon akuzat për torturën ndaj ujgurëve.
Xinjiang është provinca autonome më e madhe e Kinës, në të cilën jetojnë 25 milionë njerëz dhe ku më shumë se gjysma janë kryesisht grupe të pakicave etnike myslimane. Grupi më i madh është popullata turke ujgure.
Persekutimi kinez i pakicës ujgure në Xinjiang është përshkallëzuar vitet e fundit. Konsiderohet që më shumë se një milion njerëz janë ndaluar në kampet e punës dhe ka prova në rritje të programeve të riedukimit, kufizimeve të lirive fetare dhe kulturore, programeve të punës së detyruar, mbikëqyrjes masive dhe sterilizimit të detyruar të grave.
Raportet ndërkombëtare zbuluan, gjithashtu, se mijëra ujgurë u transferuan për të punuar në fabrika në të gjithë Kinën, në kushte që “fuqishëm sugjerojnë punë të detyruar”.
Serbia është pjesë e nismës shtetërore kineze “Brezi dhe rruga” me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (17 + 1) për rihapjen e kanaleve tregtare perëndimore që ndjekin Rrugën e lashtë të Mëndafshit me qëllim që Kina të furnizojë ekonominë e saj.
Marrëdhëniet e afërta të Serbisë me Kinën dhe Rusinë janë kritikuar shpesh nga zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së, duke dërguar një mesazh të qartë se Serbisë do t’i duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me 27 vendet e tjera anëtare në procesin e integrimit evropian.
Këto marrëdhënie përfshijnë gjithashtu “Qytetet e mençura”, një projekt i qeverisë kineze i bazuar në përdorimin e gjerë të teknologjive moderne të informacionit dhe telekomunikacionit që zbulojnë, analizojnë dhe më pas integrojnë të gjitha informacionet kryesore që lidhen me funksionimin e një qyteti.
Megjithatë, “Qytetet e mençura” përfshijnë një sistem problematik të “përmirësimit” të sigurisë publike, i cili siguron mbikëqyrje me kamera për njohje të fytyrës.
Realizimi i zhvillimit të “Qyteteve të mençura” filloi në Beograd në gjysmën e parë të vitit 2019 dhe parashikon që deri në vitin 2021, në 800 lokacione do të instalohen më shumë se 1000 kamera për mbikëqyrje, të pajisura me teknologjinë e njohjes së fytyrës.
Kamerat janë blerë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë – në kuadër të projektit të quajtur “Qyteti i sigurt” – nga kompania kineze Huawei, po ashtu, nën sanksionet e SHBA-së.