Retorika e Qeverisë Kurti është plot me “sovranitet”, por pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë në Izvor nuk po kontrollohet fare nga institucionet e Kosovës, shkruan Demokracia.
Bazuar në marrëveshjen për IBM, kjo pikë kufitare në Izvor është rregulluar në tërësi, mirëpo ajo nuk është funksionale zyrtarisht. Por, deri para vendosjes së barrikadave, Policia e Kosovës nuk ka lejuar qarkullim përmes kësaj pike, pasi që ende nuk ishin vendosur dogana dhe kontrollet pa u hapur zyrtarisht.
Megjithatë, përkundër që rruga është e hapur edhe për Policinë dhe Doganën e Kosovës, ministri Xhelal Sveçla prej vendosjes së barrikadave kishte dhënë urdhër që policët të tërhiqeshin nga kjo pikë, duke ia mundësuar kështu Serbisë që të kalojë kamionë me mallra pa kurrfarë problemi.
Kjo rrugë fillon nga Rashka deri në Banjskë dhe tani është komplet e asfaltuar.
Demokracia.com nga burime brenda Doganës së Kosovës ka mësuar se prej tërheqjes së Policisë së Kosovës nga kjo pikë kufitare, serbët po fusin lirisht mallra nga Serbia, duke bërë kështu që Kosova të humbasë miliona euro për shkak të mosfunksionimit të institucioneve kosovare, doganës dhe policisë, në këtë pikë kufitare.
Kjo rrugë, po ashtu, sipas burimeve të kësaj medie, po shfrytëzohet edhe për furnizim me armatim nga grupet kriminale që operojnë në veriun e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e kishte vizituar këtë pikë kufitare më 16 prill 2022, pas një sulmi që kishte ndodhur mbi patrullën e Policisë së Kosovës në Sharpej.
“Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, si dhe në Sharpej, vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda”, kishte thënë Sveçla, duke shtuar se po vazhdojnë me përkushtim maksimal që të luftojnë çdo grup kriminal, që me aktivitete ilegale cenojnë sigurinë e vendit tonë.
Nuk dihet nëse ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë e Qeverisë Kurti që Serbia të kalojë e qarkullojë mallra në këtë pikë kufitare, por derisa ekzistojnë rrugë të tilla, serbëve të barrikadave nuk u ngutet fare heqja e tyre. Grupet kriminale në veri dhe qytetarët serbë janë duke u furnizuar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok pa kurrfarë problemi me gjithçka që duan, pa i paguar doganë e taksa shtetit të Kosovës, pasi që Qeveria Kurti ua ka lejuar ta kenë një pikë kufitare pa u kontrolluar nga institucionet e shtetit tonë.