Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen ka bërë promovimin e publikimit “Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake humanitare e NATO-s në vitin 1999”, raporton Ekonomia Online.
Bashkautori i këtij publikimi, Blerim Krasniqi ka thënë se libri përfshinë të gjitha shkeljet masive që i janë bërë shqiptarëve gjatë shekullit 20.
“Instituti është themeluar që të faktojë shkeljet masive të të drejtave të njeriut gjatë shekullit 20, të studiojë intervenimin e NATOS në Kosovë dhe rolin e faktorëve tjerë ndërkombëtar”.
“Të avkojë që vlerat e trashëgimisë kulturore të prezantohen si thesar i kulturës sonë. Të asistojë në menaxhimin e komplekseve memoriale”.
Bashkautori tjetër, Muharrem Mustafa ka njoftuar se publikimi pasqyron të dhëna që dëshmojnë se Serbia ka kryer gjenocid ndaj Kosovës.
“Ky publikim paraqet në mënyrë kronologjike gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 98/99 nga Serbia ndaj shqiptarëve. Instituti ka analizuar rrethanat. Ka raste kur e vërteta është shtrembëruar për atë se çka ka ndodhë, duke shkuar deri aty sa janë ngatërruar viktimat me kryesit e gjenocidit”.
“Publikimi pasqyron fakte përmes një plani të përgatitur se Serbia ka ushtruar gjenocid. Ajo kishte qëllim shkatërrimin e shqiptarëve ekonomikisht, personalisht, kufizim të lirisë, sistemit shëndetësore e arsimor, përdhunime, plaçkitje, spastrime etnike etj”.
“Publikimi tregon që ndërhyrja e NATO-s kishte për qëllimin ndaljen gjenocidale dhe që ndërhyrja ushtarake është e ligjshme. Ky publikim ka synimin njohjen e të vërtetës. Nga puna disa mujore dhe sfidat që kemi hasur konsiderojmë se nxjerrja e të vërtetës nuk është e lehtë”.
Përderisa autori tjetër i librit, Bujar Mustafa tha se ka ngecje në shumë aspekte për të dëshmuar krimet e luftës që kanë ndodhë në Kosovë.
Ilir Dugolli ka thënë se gjenocidi serb ishte i mirë planifikuar, andaj sipas tij, nuk duhet pasur frikë për tregimin e të vërtetës.
“Të ngrejmë zërin që të plasojmë të vërtetën edhe në opinion ndërkombëtar. Shumë pak kemi bërë për të vërtetën tonë. Fobia për ta treguar atë nuk ka kuptim fare. Ishim më të dobët për shkak të kontesteve gjeopolitike në vendin tonë. Gjenocidi ndodhë në dy mënyra nga dhuna që ushtrohet nga një grup në një tjetër në mënyrë sistematike dhe nga dhuna e pa sistemuar. Nga 97/99 ka pasur forma të ndryshme gjenocidi si dëmi kolektiv ku trupat e të vrarëve u masakruan me armë të ftohta”.
“Gjenocidi ishte planifikuar mirë para se të ndodhte nga njerëz të aftë për të bërë keq. Akoma është prezentë gjenocidi sepse dikush është gjallë që ka përjetuar ato që kanë ndodhë”, është shprehur ai.
Selami Hoti nga shoqëria civile, tha se duhet një bashkëpunim në mënyrë që e vërteta e Kosovës mos të ndërrohet, raporton EO.
“Këto raporte si ky i sotmi na bëjë që të gjitha bashkë të punojmë edhe më tepër që ta nxjerrim në dritë të vërtetën e asaj që ka ndodhë. Sot jam këtu për tu dhënë krah të gjithë atyre që duan të punojnë të vënë të drejtën në pah”.
“Ne do të jemi të gatshëm por mos të vonohemi me të gjitha institucionet që t’i vemi ku duhet të gjitha këto. Që kriminelët mos të na mundin neve dhe të na ndërrohen vendet. Kosova ka akademikë, profesorë e studiues nga të gjitha fushat andaj na duhet një bashkëpunim që aritmiku ynë të marr dënimin e merituar”.
Studiuesi Izet Avdyli, ka përgëzuar institutin për publikim e librit për gjenocidin ndaj shqiptarëve që sipas tij përmbledh në vete të dhëna me shumë interes, raporton EO.
“Institucionet bartin një pjesë të dështimit sepse kanë pasur mundësi qe pas luftës të mbledhin të dhënë për gjenocidin serb në Kosovë”, u shpreh ai.