Serbia për Rusinë konsiderohet shteti më aleat në Evropë, jo vetëm tani, por tashmë qe disa dekada. “Vëllazëria” në mes Rusisë dhe Serbisë ishte krijuar qysh në vitin 1838 dhe ishte e bazuar në krishterimzimin ortodoks të dy popujve.
Edhe pse serbët e konsiderojnë Rusinë si vëllai i madh, e nganjëherë edhe si “Nëna Rusi”, në realitet ky “nëna dhe vëllai” shpesh i kanë tradhtuar.
Vite me radhë është krijuar miti mbi Rusinë si mbrojtëse e Serbisë, shtet vëlla, dhe si shteti që i kishte ndihmuar Serbisë ekonomikisht. Po sikur të ishte kjo e vërtetë? Kjo ‘Rusia vëllazërore’ në maj të vitit 1992 i kishte votuar për vënien e sanksioneve më të rënda kundër Jugosllavisë, sanksione nga bashkësia ndërkombëtare që nuk njeh historia t’i jenë vënë ndonjë shteti. Rusi edhe pse kishte të drejtë veto, këtë nuk e kishte bërë.
Në botën sllavo-ortodokse është ndërtuar miti se Rusia është e pamposhtur dhe Vladimir Putini është shpëtimtari i “Krishtit”.
Aleksandar Vuçiqi betohet me besnikëri ndaj Rusisë, si i vetmi vend në Evropë duke mos e llogaritur Bjellorusinë, që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Qëndrimet ruse pranohen në gjithë Serbinë. Motori i fuqishëm propagandues, përveç megafonit Vuçiq, janë edhe mediet shtetërore ruse “Sputnik Srbija” dhe RT Balkan, të cilat kanë redaksi të fuqishme në Beograd që e kanë ndryshuar dhe bindur opinion në Serbi se Rusia është mbrojtësi më i madh i Serbisë.
Ndikimi rus në Serbi dukej qartë me ndërhyrjen e saj edhe në zgjedhjet e fundit në Serbi, duke e përkrahur partinë e presidentit Vuçiq.
Ndonëse BE-ja është partneri me shkëmbim tregtar më të madh me Serbinë gjatë vitit 2023 me 30.28 miliard dollarë, (Rusia është vendi i katërt me 2.37 miliardë dollarë), Serbia ka lejuar hapjen më shumë se 4 000 kompanive ruse, kjo me qëllim që kompanitë ruse t’u shmangen sanksioneve ndërkombëtare. Serbia ka nënshkruar kontratë për blerje të armatimit nga Rusia në vlerë 1.3 miliardë dollarë për ta “ruajtur” integritetin e saj.
Edhe serbët e Kosovës e shohin Rusinë si mbrojtëse të interesave të tyre.
Rusia i ka përqafuesit e saj dhe po tenton të ndikojë në zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan me mbështetje të disa etniteteve apo aktorëve të tjerë, apo edhe grupeve tjera që kanë agjentë etno-nacionaliste.
Nëse Serbia nuk fillon të shkëputet nga Rusia rrezikohet Ballkani.
Nëse kjo nuk zbatohet, ndikimi brutal i Rusisë mund ta rrezikojë paqen në Ballkan – një lloj lufte hibride dhe aktivitete të ndryshme brenda kësaj lufte, siç ishte rasti i Banjksës në shtator të 2023.
(Autori është gazetar dhe ish-politikan nga Kosova. Aktualisht jeton në Beograd)