Serbia persekuton serbët e padëgjueshëm të Kosovës

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Sërgjan Jovanoviq është eksponenti i pestë i Partisë Liberale Serbe (SLS) që është ndalur nga autoritetet e Serbisë me të hyrë në territorin e këtij shteti. SLS-ja është ndër subjektet politike serbe që ushtron veprimtari në Kosovë pa iu nënshtruar urdhrave të Beogradit zyrtar.

Jovanoviq është ndalur të enjten në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa mundur të mbërrinte në Vranjë, ku ishte nisur për qëllime private. Ai është edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan sot Koha Ditore.

SLS-ja nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se Policia e Serbisë e ka ndalur Jovanoviqin, duke i thënë se ka urdhër ta ndalojnë pasi që “dikush duhet të flasë me të”.

“Rikujtojmë se muajt e kaluar në Merdar janë ndalur dhe pyetur nga policia serbe kryetari Slobodan Petroviq, anëtarët Boban Stankoviq, Nebojsha Jakovleviq dhe Sreqko Spasiq”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj partie të serbëve të Kosovës, “këto ndalesa dhe maltretime” janë të pakuptueshme dhe për të pestën herë kërkon përgjigje dhe sqarim nga ana e presidentit të Serbisë, kryeministres dhe shefit të Shërbimit Informativ për arsyet që përfaqësues të lartë të këtij subjekti politik ndalohen në territorin e Serbisë.

Të ngjashme