Studentet e Fakultetit të Kriminologjisë të Universitetit të Sarajevës, Valentina Vujiçiq dhe Sllagjana Todiq, të cilat në rrjetet sociale lavdëruan kriminelin e luftës Ratko Mlladiq, u shpërblyen nga shteti i Serbisë, shkruan “Klix”:
Ato mbajtën një konferencë për shtyp në Sarajevën Lindore dhe paraqitën një sërë pretendimesh se janë “të ekspozuar ndaj ngacmimeve mediatike, por edhe nga qytetarët e Sarajevës dhe Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Në “ndihmë” i erdhi drejtori i përgjithshëm i “Sarajevo-gas” nga Sarajeva Lindore, Nedeljko Elek, i cili ka thënë se me ftesë të drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është futur në listën e zezë të SHBA-së, Valentina dhe Sllagjana do të vazhdojnë studimet në Akademinë e Sigurisë Kombëtare në Beograd.
Valentina dhe Sllagjana do të jenë bursiste të shtetit serb dhe atyre do t’u sigurohet akomodimi në konviktin e studentëve, ndërsa shpenzimet e tjera financiare të studimeve do t’i bartë kompania “Sarajevo-gas”.
Studentet, të cilat kanë kryer vepër penale sipas ligjit në Bosnje, në fakt janë shpërblyer për glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Ato përmes Instagramit kanë glorifikuar kriminelët e luftës, siç është rasti i Mlladiqit, duke e quajtur madje edhe “hero”.
Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka njoftuar se do të hapë rast lidhur me këtë çështje.