Serbia siguron organizimin e një panairi botëror në vitin 2027, Blinken e uron publikisht

Prishtinë | 21 Qer 2023 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka uruar Serbinë pasi kanë garuar dhe kanë arritur që të sigurojnë organizimin e EXPO2027, një panair botëror që njihet nga Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave me seli në Paris.

Blinken ka paralajmëruar se SHBA-ja do të merr pjesë në organizimin që do ta bëj Serbia më 2027.

“Ne e përgëzojmë Serbinë për ofertën e tyre bindëse dhe mezi presim të shfaqim një pavijon të mrekullueshëm në vitin 2027”, ka shkruar Antony Blinken, duke falënderuar ata që e kanë përkrahur SHBA-në në ofertën për të organizuar panairin e njëjtë.

Urimet Serbisë i kanë shkuar edhe nga zyrtarja tjetër e Departamentit Shtetit, Liz Allen, Nënsekretare për Diplomacinë dhe Çështjet Publike.

Allen ka uruar Serbinë për ofertën fituese për të organizuar Expo 2027, derisa thotë se pret me padurim që SHBA-ja të bëj një paraqitje të fortë në Beograd.

Përmes një njoftimi për media, Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave ka bërë të ditur se shtetet anëtare të Byrosë kanë zgjedhur Serbinë si vendin pritës për organizimin e Ekspozitës së Specializuar nga 15 maj deri më 15 gusht 2027 në Beograd me temën “Të luajmë për njerëzimin – Sporti dhe muzika për të gjithë”.

Serbia është zgjedhur në raundin e katërt të votimit, me shumicë votash, nga vendet anëtare të Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave, derisa në garë ka qenë edhe SHBA, Tajlanda, Argjentina dhe Spanja.

Të ngjashme