Serbia u tërhoq nga letra e Bërnabiqit, Stano nuk jep detaje

Prishtinë | 10 Sht 2024 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk ka dhanë ndonjë detaj shtesë apo datë se kur Serbia është tërhequr nga letra e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, dërguar BE-së në fund të vitit të kaluar.

Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se pyetjet se “kur”, “pse” dhe “si”, duhet t’i bëjë Serbia dhe jo BE-ja.

“Nuk kam çfarë të shtoj më shumë, pos asaj që e tha Miroslav Lajçak në Kosovë, javën e kaluar dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Pse, kur dhe si ndodhi kjo, apo ka bërë apo nuk ka bërë diçka Serbia, nuk është për ne, por është për autoritetet serbe t’i bëjnë këto pyetje, tha Stano.

Stano shtoi se qëndrimi i BE-së është i njëjtë kaherë se Kosova dhe Serbia duhët të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

“Nëse nuk e zbatojnë, ata nuk do të munden të procedojnë në rrugën e tyre evropiane, kjo është shumë e qartë”, ka thënë Stano.

Lajçak në Prishtinë më 6 shtator tha se po punojnë në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pavarësisht se ajo është ligjërisht e obligueshme .

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje”.

“Letra është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare, por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak

Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i pati dërguar Bashkimit Evropian një letër, me anë të së cilës shprehte qëndrimin e Serbisë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë të pranueshme për shtetin serb vetëm në kontekstin ku nuk përfshin njohjen de-facto apo de-jure të Kosovës.

Tutje, Bërnabiq në atë letër shprehte qëndrimin se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB e madje edhe se “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.

Të ngjashme