Në fshatin Dhol që ndodhet në Bangladesh, mbi 100 persona janë përleshur fizikisht, shkaku i një serie televizive.
E tëra ka filluar kur dy burra të ulur në kafene, po e shikonin episodin më të ri të telenovelës “Kiranmala”, ku flitet për një princeshë luftëtare, që e shpëton njerëzimin nga djalli i keq.
Por, disa të pranishëm e kanë kundërshtuar përmbajtjen e filmimeve dhe kanë filluar të lëshojnë fjalë ofenduese në drejtim të shikuesve.
Për pasojë, ngjarja ka devijuar në përleshje masive, ku janë shfrytëzuar thikat dhe shufrat metalike. Shkaku i kësaj rrahjeje masive, 15 njerëz janë shtrirë në spital dhe gjendja e tyre është kritike.
Ndryshe, shumë njerëz i kanë shkruar letër qeverisë në Dhaka, që të ndalojnë këtë seri që po jep mesazhe shumë të këqija për popullatën.
Deri tani, tri adoleshente i kanë dhënë fund jetës, sepse prindërit nuk ua blinin fustanet e shtrenjta, të cilat i vesh protagonistja kryesore e këtij seriali.