Për të tretën herë, Policia e Kosovës ka pranuar një telefonatë anonime në të cilën është thënë se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka mjet shpërthyes.
Rastin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë Florie Ahmeti.
Ajo ka thënë se janë ndërmarrë masat e sigurisë në atë zonë dhe janë angazhuar njësitet për trajtimin e rastit.
“Rreth orës 12:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka thënë Ahmeti.
Kjo është hera e tretë brenda disa javëve që Policia e Kosovës merr të tilla telefonata anonime për një mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.