Ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ishte planifikuar të mbahet sot, për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Sot ishte planifikuar të diskutohet rreth angazhimit të ekspertëve.
Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, deputete nga radhët e AAK-së, ka thënë se e kishte shtyrë disa herë këtë mbledhje, me kërkesë të deputeve të mazhorancës, por ato sërish nuk kanë ardhur.
Kadrijaj, sikurse dhe anëtarë të tjerë të Komisionit nga opozita, shprehën dyshime se VV-së qëllimisht po e saboton punën e këtij komisioni hetimor.
“Unë shtyva mbledhjen për sot. Fillimisht ka qenë në ora 11 për shkak të deklarimeve të dy deputeteve Fitore Pacolli dhe Jeta Statovci se në atë kohë kanë angazhime në parlament, kam shtyrë prapë mbledhjen për në ora 13:00, por po e shihni që prapë s’kanë ardhur”.
“Edhe një informatë shtesë afati që kemi rekomanduar Ministrisë së Punëve të Jashtme për kompletimin e dokumentacionit të na sjellin në Kuvendin e Kosovës ka skaduar”, ka thënë Kadrijaj.
“Brenda kësaj javë tri herë është shtyrë. Janë email-at janë komunikimet që i kemi bërë, në mënyrë që me i përshtatë t’i kemi prezent këtu, por po shihet që s’ka interesim. Ne do të vazhdojmë me thirrë prapë sepse nuk kam dashtë faji të më mbetet mua. Po i ftoj ashtu siç e kam obligim ligjor do t’i thërras. Në qoftë se ata dëshirojnë ta sabotojnë është përgjegjësi e LVV-së. Kjo është tendencë që mos të zbardhet e vërteta se çfarë po ndodh në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.
“Ajo çka është paraparë të diskutohet si vazhdimësi e mbledhjes së kaluar ka qenë t’i sjellin CV-të e ekspertëve ti trajtojmë ne si komision dhe në fund të votojmë për ekspertët”, Kadrijaj.
“Në mungesë të kuorumit e mbylli këtë mbledhje” ka thënë Kadrijaj.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kërkuar që t’i shkruhet një raport Kuvendit dhe t’i tregohet se po sabotohet puna në këtë Komision.
“Kam pritur që sot kemi edhe seriozitet edhe përgjegjësi, nuk kam dashur të jem pjesë në asnjë mekanizmi ku shfaqet mos-serioziteti, faktkeqësisht të vihet në sabotim të këtij Komisioni. Na jemi mandatu prej Kuvendit. T’i shkruhet një raport Kuvendit të tregohet se është ka sabotohet puna ose të suspendohet puna Komisionit ose të merren masa tjetra për forcim të përfqësuesve në Komision nga partitë parlamentare”, ka thënë Berisha.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pasur asnjë ekspert të propozuar.
“Kjo veç e dëshmon atë kritikë që kemi pasur tre vite e gjysëm sa i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme. Fillimisht keni parë që në këtë Komision duhet të ketë në punë profesionale. Asnjë Komision Hetimor me LVV-në nuk mund ta përfundojë punën dhe të nxjerrë një raport për Kuvendin e Kosovës. E patë me propozimin e ekspertëve në Komision, vetëm pat akuza të personave të propozuar mirëpo nga LVV-ja nuk kemi asnjë ekspert të propozuar. Çka do të thotë kjo?”, ka thënë Shoshi.