Gjykata Themelore për herë të dytë ka refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe të tjerëve që akuzohen se kanë deportuar gjashtë shtetasit turq nga Kosova duke mos i respektuar procedurat ligjore.
Refuzimi i Themelores ka ardhur pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje rastin për dëbimin e shtetasve turq që kishte ndodhur në mars të vitit 2018 me kërkesë të Turqisë. Gjashtë të dëbuarit ishin dënuar pastaj në gusht të 2020-ës me 56 vite burgim nga autoritetet turke.
Në këtë rast përveç Driton Gashit, akuzohen edhe drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani
Lajmin e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha.
Lidhur me këtë rast, ka thënë se gjykata e shkallës së parë nuk i është referuar fare këshillave të Gjykatës së Apelit, dhe se do të paraqesin ankesë në shkallën e dytë.
“Po, dje e kemi pranu vendimin. Gjykata e ka refuzu prapë dhe nuk ju ka referu fare këshillave të Gjykatës së Apelit, kështu që do apelojmë prapë”, tha avokati Hoxha.
Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria. Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018.
Ndryshe, më 21 maj të këtij viti, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashi, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmani.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën ku janë shpallur si të pa pranueshme, një pjesë e provave, përkatësisht deklaratat e disa dëshmitarëve është vërtetuar, ndërkaq pjesa tjetër e aktvendimit më të cilën janë refuzuar si të pa bazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhej në komunikatën për media të Gjykatës së Apelit.
Ndryshe, me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.
“Aprovohet kundërshtimi i mbrojtësit të të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani për përjashtimin si provë të papranueshme të procesverbaleve të deklaratave të dëshmitarëve Hamit Rukiqi i datës 02.05.2019, dhe me datë 07.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Fazli Fazliu e datës 12.03.2019 dhe me datë 01.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Ibrahim Mustafa e datës 25.04.2019, deklarata e dëshmitarit Xhemajl Krasniqi e datës 02.04.2019, deklarata e dëshmitarit Shaban Gruda e datës 17.07.2019 dhe e datës 25.11.2019, në bazë të nenit 249 par 3. Të KPPRK-së”, ishte thënë në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.
Ndërkaq prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej datës 23.03.2018, e gjer më 29.03.2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në
Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.
Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23.03.2018 dhe gjer më 29.03.2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.
PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, Drejtor i DMH, pranë MPB, më 29.03.2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 (gjashtë) shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM, ndërsa urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtoj të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoj dëm moral dhe material të dëmtuarve.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.
Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.
Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal.