Sërish s’mbahet seanca në rastin “Tetaj”

Prishtinë | 27 Kor 2022 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Me 250 euro është gjobitur avokati Asdren Mekaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare si mbrojtës i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt. Ai nuk është paraqitur në seancën e së mërkurës, derisa në mëngjes e kishte njoftuar trupin gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë se do të tërhiqet nga rasti për shkak te mosvullnetit nga ana e Gogajt për të bashkëpunuar dhe se i kishte thënë se nuk pranon avokat tjetër përpos Besnik Berishës.

Trupi gjykues nuk ka mundur ta mbajë seancën në mungesë të kushteve dhe pritet që t’i drejtohet odës së Avokatëve për të caktuar një avokat tjetër.

Telashet me avokatin mbrojtës të Gogajt kanë përcjellë procesin gjyqësor që nga qershori i vitit të kaluar kur nga rasti u përjashtua avokati Besnik Berisha.

Oda e Avokatëve pati refuzuar për më shumë se 10 muaj që të caktojë avokat të ri, megjithatë kjo odë u tërhoq nga qëndrimi në fund të prillit. Pas tërheqjes së vendimit të OAK-së, bllokimi për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, po bëhet nga i akuzuari dhe nga familjarët e Gogajt, për shkak se nuk po pranojnë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

Shaban Gogaj akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë. Ai akuzohet se më 23 shtator 2018, në vendin e punës vrau Agonis Tetajn.

Rasti është kthyer në pikën zero, pas reagimit të babait të viktimës, i cili kishte alarmuar institucionet dhe ambasadat në Kosovë, kur prokurori i rastit, gjatë fjalës përfundimtare, kishte vendosur që ta rikualifikonte veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Të ngjashme