Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, marrëveshjen e re për një linjë ajrore Prishtinë-Beograd po e sheh si një impuls të ri për rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një marrëveshje parimore për krijimin e një linje ajrore Kosovë-Serbi është një shpresë për rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, ka thënë Serwer për Zërin e Amerikës, transmeton Gazeta Express.
Profesori amerikan tutje ka folur edhe për pengesat që do të shfaqen në përpjekje e sipër për t’u rikthyer në tavolinën e negociatave. Serwer këtu ka përmendur faktin që në Kosovë ende nuk ka një qeveri të re dhe gjithashtu zgjedhjet e reja në Serbi të cilat janë në prag.
“Ne duhet të kemi parasysh se Beogradi dhe Prishtina do të kthehen në tryezën e bisedimeve, kur Kosova të bëhet me qeveri. Dhe pastaj do të shfaqet një problem i ri, periudha e zgjedhjeve dhe fushata në Serbi. Kjo mund të ngadalësojë përparimin në bisedimet dy paleshe. Gjithashtu, dialogu është një proces që ndërmjetësohet nga Evropa e që përfshinë herë pas herë amerikanët. Nuk jam i sigurt nëse një lloj i tillë bashkëpunimi do të japë gjithmonë rezultatet më të mira”, ka potencuar tutje Daniel Serwer.
Marrëveshja për linjën ajrore Beograd-Prishtinë është përshëndetur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat e kanë cilësuar si një hap gjigant.
Ka folur edhe presidenti i SHBA’së, Donald Trump, i cili e ka quajtur si një triumf për të cilin nuk ishte besuar se mund të ndodhte.