Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer tha se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden duhet të konsultohet me evropianët dhe të paraqesë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, udhëheqja nga BE-ja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë, por në këtë proces ka nevojë që të ketë një angazhim amerikan.
Ai po ashtu shprehu nevojën e një mekanizmi mbikëqyrës për dialogut, por edhe për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, në mënyrë që ato të kenë juridiksion edhe mbi krimet e kryera në Serbi.
“Qëllimi kryesor i SHBA-së për dialogun është njohja e ndërsjellë dhe dërgimi i ambasadorëve në shtetet përkatëse. Presidenti Biden dhe kancelarja [gjermane, Angela] Merkel duhet ta bëjnë të qartë këtë qëllim dhe t’iu bëjnë presion shteteve anëtare të BE-së që të deklarojnë se ato do ta njohin Kosovën, jo më vonë sesa Serbia. Anëtarësimi në OKB do të kërkojë që SHBA-ja të bindë Rusinë dhe Kinën që të mos vendosin veto”, tha Serwer, në një konferencë dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së .
Dialogu në Bruksel rinisi në korrik të këtij viti, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi i korrikut u pasua nga një takim në shtator, por që atëherë, palët nuk janë takuar. Lidhur me mosmbajtjen e raundeve të reja të bisedimeve në nivelin e lartë politikë, BE-ja është arsyetuar me situatën që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit të ri.
Së fundmi, SHBA-ja ka bërë përpjekje që të ndihmojë në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në kuadër të këtyre përpjekjeve, u arrit në Uashington një marrëveshje për normalizim ekonomik mes Prishtinës dhe Beogradit. /Telegrafi