Porositë që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë pasur peshë të madhe në Kosovë. Por, porositë e fundit nuk janë shumë të mira për shtetin tonë.
I fundit që ka dhënë sinjale jo të favorshme për Kosovën është Daniel Serwer.
Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, në një intervistë për Nacionale, ka treguar përshtypjet e tij lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë për të mos i lejuar serbët të votojnë në zgjedhjet serbe sikur vitet e kaluara.
Eksperti, që është angazhuar më parë si ndërmjetësues ndërmjet popujve ballkanas të përfshirë në konflikte të armatosura dhe në konflikte tjera në botë, ka thënë se ndërkombëtarëve nuk iu pëlqen vendimi dhe ai do të sjellë pasoja në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. Kjo për faktin se, sipas tij, simpatia e BE-së ndaj Kosovës do të dobësohet.
“Nuk ka asgjë të keqe nëse qytetarët serbë, të cilët jetojnë në Kosovë, votojnë në zgjedhjet serbe. Ekziston një praktikë anembanë botës që qytetarët jashtë territorit të shtetit të tyre të votojnë në zgjedhje. Problemi nuk është te votimi, por ku dhe si të votohet. Në të kaluarën serbët e Kosovës janë lejuar të votojnë në komunat e tyre, por ajo është bërë në bazë të një marrëveshjeje të veçantë të negociuar nga OSBE-ja, që nuk është e zakonshme për shtetet tjera. Qeveria e Kosovës vendosi të mos e lejojë një gjë të tillë. Prishtina mund ta bëjë këtë, por ndërkombëtarëve nuk iu pëlqen” ka thënë ai.
Sipas tij, ky vendim mund ta ashpërsojë qëndrimin e Serbisë, por ai tashmë vetëm se është i ashpër. “Megjithatë, ndikimi më i madh do të shprehet në simpatinë e Bashkimit Europian për Kosovën. Kjo simpati nuk është e madhe do do të dobësohet edhe më tej pas kësaj”, ka theksuar Serwer.
Serwer nuk është eksperti i parë amerikan që e vlerëson me pasoja vendimin për të mos lejuar serbët që të votojnë sikur vitet e kaluara. Një qëndrim të tillë e ka pasur edhe profesori tjetër amerikan, Edward P. Joseph, i cili i ka thënë Nacionales se vendimi i Qeverisë Kurti dëmton interesat e Kosovës dhe i çon përpara ato të Serbisë.