Profesori i “Johns Hopkins University” dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, në ‘blogun’ e tij “Peacefare” ka shkruar për stadin aktual dhe për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialog ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Serwer thotë se pavarësisht faktit që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në vitin 2013, e gjithë kjo dekadë pas asaj marrëveshje ka qenë joproduktive. Eksperti amerikan thotë se edhe përkundër që kanë lauar 10 vjet nga marrëveshja e Brukselit, ngecja e ndodhur për gjithë këto vite rrezikon Ballkanin dhe shpërbërjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Kur e thotë këtë, Serwer bashkëngjit një video të një Alexander Dugin, i njohur ndryshe edhe si “Truri i Putinit”, i cili lavdëron Vuçiqin dhe Dodikun dhe paralajmëron që koha e “ringjalljes së sllavizmit” do të vije.
A ka shpresë për progres?- pyet Serwer.
Eksperi amerikan thotë se rrethanat aktuale nuk janë të përshtatshme për të shënuar progres. Këtu përmend lidhjen e fortë të Serbisë me Rusinë dhe faktin që pjesa serbe e Bosnje e Hercegovinës që drejtohet nga Millorad Dodik është nën direktivat e plota dhe kontrollohet nga Moska.
Përveç kësaj, Serwer thotë se Amerika, Britania e Madhe dhe bashkimi Evropian janë të preokupuar për të ndihmuar ukrainasit për t’iu kundërpërgjigjur agresionit rus.
“Rajoni i Ballkanit është shumë poshtë në listën e urgjencave”, shkruan Serwer, raporton Gazeta Express.
Përveç kësaj, Serwer thotë se vëmendja është edhe tek zgjedhjet në SHBA 2022-2024, të cilat së shpejti do të fokusojnë vëmendjen amerikane në zhvillimet e brendshme atje.
“Çdo kush në Ballkan do të jetë duke mbajtur frymën për të parë nëse Donald Trump do të ketë një shans reale për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Nëse i duket mirë, Serbia do të dëshirojë të vazhdojë pauzën në dialogun me Kosovën, duke qenë se Trump ishte simpatik ndaj ambicieve territoriale të Beogradit. Nëse Prishtina dëshiron diçka nga dialogu, duhet ta marrë shpejtë”, ka thënë Serwer.
Serwer tutje flet edhe për kërkesën e liderëve të Kosovës që Serbia të pranojë krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, derisa konstaton se një temë e tillë s’është e mirë për në fillim, derisa thotë se mbase një marrëveshje për tabelat e makinave do të ishte një çështje më e lehtë për t’u zgjidhur.
Ndërkohë në gjithë mozaikun e ngjarjeve aktuale dhe asaj se si po shkojnë negociatat, Serwer thotë se aktualisht s’është situata e “pjekur” për një marrëveshje të madhe. Siç thotë eksperti amerikan, ndoshta është më mirë që t’iu kthehet çështjeve të vogla “teknike”, si njohja e kodit ndërkombëtar të telefonisë së Kosovës, kthimi i artefakteve kulturore e njohja reciproke e diplomave, përfshirë edhe personat e zhdukur edhe targat.
Serwer thotë se normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke janë madhështore në rast se ndodhin, megjithatë thotë se për momentin, është më mirë që të arrihet një marrëveshje e vogël, meqë s’ka kushte për diçka më të madhe.
“Një mundësi tjetër është negocimi rajonal i parimeve bazë të sjelljes së ndërsjellë, gjë që mungon shumë. Asnjëra ide s’është aq madhështore sa “normalizimi i raporteve” apo njohja reciproke. Por ndoshta më pak është më mirë tani për tani”, thotë në fund Serwer.