Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë me punën e tyre me Komisionet Hetimore për të shpërfaqur “keqpërdorimet e Qeverisë që kanë bërë me buxhetin e shtetit”.
Ata kanë thënë se kjo legjislaturë ka dështuar edhe në aspektin e miratimit të Ligjeve më të rëndësishme për qytetarët, kështu duke mos përmbushur zotimet e tyre.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se si opozitë në sesionin vjeshtor do të vazhdojnë punën me Komisionin Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, ku sipas tij, do të vazhdojnë të shpërfaqin çdo keqpërdorim të kësaj qeverie.
“Ne do të vazhdojmë punën aty të Komisioni Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, atu ku e kemi lënë për keqpërdorime të cilat kanë ndodhur me subvencionim e për fat të keq tani këto subvencionime vazhduan edhe këtë vit ende pa përfunduar punën procesi hetimor i filluar nga Kuvendi i Kosovës dhe vazhdojmë të shpërfaqmi çdo dobësi dhe çdo keqpërdorim të kësaj qeveri. Ne kemi iniciuar edhe Komisionet Hetimore për sektorin e energjisë dhe për rezervat shtetërore ku tani jemi në një situatë ku mazhoranca ka bllokuar këto Komisione. Shpresoj që Prokuroria të jetë më aktive dhe këto keqpërdorime dhe abuzime të buxhetit të ndalohen, ne do të shpërfaqim edhe gjatë këtij sesioni për aq kohë sa ka mbetur, janë më pak se katër muaj punë të Kuvendit dhe kjo qeveri tani është qeveri në detyre dhe në ikje”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mazhornaca ka dështuar edhe në sektorin e miratimit të ligjeve duke mos arritur të përmbushin zotimet e tyre.
Haxhiu ka thënë se me këtë mazhorancë është degraduar puna e Kuvendit të Kosovës.
“Është dështim edhe në sektorin e legjislacionit, nuk ka arrit të përmbushin as një nga zotimet e tyre. Ligji për shëndetësi, Ligji për Fertelizimin e Asistuar mjekësor po bëhen një vit që është në Kuvend dhe nuk kalon, Ligji për tekste shkollore ka kaluar me kontrabandë dhe vjedhje të votave në Kuvend diçka që nuk ka ndodhur as një herë. Është degraduar puna e Kuvendit me këtë mazhorancë ajo çka kemi parë janë propaganda të natyrave të ndryshme por që në realitet Kosova me këtë qeveri ka shënuar një rritje të varfërisë dhe me qeverinë Kurti jemi vendi me i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila ndodhet në luftë”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se dy komisione hetimore të më hershme të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur që të përfundojnë punën e tyre për shkak të bojkotit të mazhorancës.
Ai ka thënë se pozita është munduar që të pengoj ecurinë e punës edhe të Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, sipas tij, shkeljet e kësaj qeverie në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshme.
“Komisionet Hetimore janë themeluar por ju e dini që dy komisione Hetimore paraprake të cilat veç kanë filluar shumë ma herët punën nuk kanë arritur ta përmbyllin për shkak të bojkotit të mazhornacës. Ju e dini rastin e fundit ku jam unë kryesues i Komisionit Hetimor për subvencionimin e tekste shkollore, ju i dini ato lëvizjet të cilat i ka bërë grupi i mazhorancës pa pranin time, pa pranin e nënkryetarit që nuk kanë pasur të drejt fare të ftojnë mbledhje për shkak se unë nuk kam pasur kuorum. Kjo ka qenë arsyeja që të shkojmë në pushim, të ndërpremë punën dhe të vazhdojmë me datën 9 shator. Opozita fare nuk ka qenë e pranishme në intervistimin e palëve të cilat kanë ardhur aty. Madje janë bërë edhe pa pranin e ekspertëve. Shkeljet e kësaj qeverisje në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshëm”, ka thënë ai.
Dreshaj ka thënë se nga vlerësimet e organizatave jo qeveritare del që puna e Kuvendit për sesioni e kaluar nuk ka qenë e mirë, sipas tij, ajo vlerësohet si qeverisja me e dobët duke marr parasysh numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend.
“Keni pasur dhe prononcime të organizatave tjera jo fitimprurëse të cilat funksionojnë në Kosovë dhe merren me menaxhimin e punës së Kuvendit, vlerësimet e tyre nuk janë të mira lidhur me punën. Madje vlerësojnë me keq se në këtë qeverisje sa qe qeverisjet paraprake në raport me numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend. As një ligj bazik nuk ka kaluar në këtë qeverisje, krejt janë ligje sektoriale, ose amandamentime të ligjeve paraprake të cilat nominohen, ose numërohen si suksese të punës. Ju them që as një ligj bazik i cili është premtuar nga kjo qeverisje nuk është sjell në Kuvend dhe nuk ka kaluar në Kuvend, Ligji për Shëndetësi, Ligji për Sigurime Shëndetësore, Ligji për Skema Pensionale, këto janë tri ligjet e mëdha bazike që kanë pasur për të kaluar as njëri nuk janë ardhur për tu debatuar”, ka thënë ai.