Eibari është kundërshtari i radhës në La Liga i Barcelonë dhe kjo ndeshje do ta mbyllë një javë të vështirë për klubin katalonas shkaku i skandalit me kompaninë I3Ventures, mirëpo trajneri Quique Setien thotë se lojtarët e tij i kanë besuar çdo fjale të presidentit Josep Maria Bartomeu.
Cadena SER raportoi këtë javë se kompania me të cilën Barcelona kishte marrëveshje, I3Ventures, e kishte për detyrë t’i promovonte disa drejtorë të caktuar të klubit, ndërsa t’ua prishë reputacionin disa individëve të tjerë të lidhur me klubin.
Marrëveshja mes Barcelonës dhe E3Ventures ishte nënshkruar para tre vjetëve për një shumë të ulët parash, pasi që një pagesë më të madhe do të duhej të ishte marrë edhe aprovimi i aksionarëve në klub.
Kompania raportohet se duhej të krijonte llogari të rreme nëpër rrjete sociale dhe pastaj të publikonte mesazhe për ta lavdëruar punën e drejtuesve të klubit, ndërsa t’i kritikonte veprimet e disa personave të afërt me klubin, si Lionel Messi, Gerard Pique, Pep Guardiola, Cavi e Victor Font.
Drejtuesit e Barcelonës e kanë pranuar se kanë pasur marrëveshje me kompaninë në fjalë, mirëpo e kanë mohuar se kompania ka ndonjë lidhje me llogaritë në rrjete sociale për të cilat raportohej.
Messi dje e bëri të ditur se Bartomeu nuk u kishte thënë asgjë më shumë lojtarëve sesa që kishte thënë në publik, ndërsa tani trajneri Setien thotë se lojtarët i besojnë plotësisht deklaratave të Bartomeut.
“Natyrisht, lojtarët i kanë besuar gjithçkaje që ka thënë presidenti. Kapitenët as që e kanë diskutuar këtë më; ky është një problem i mbyllur brenda nesh”, ka thënë Setien, në konferencën para ndeshjes kundër Eibarit.
“Gjërat e tilla nuk na ndihmojnë, por kështu është futbolli. Përgjigjet e duhura tashmë janë dhënë në publik”.
Por, Cadena SER e ka publikuar një dokument që dëshmon se I3Ventures ishin prapa llogarive jozyrtare që shpërndanin informacione në tentim për të krijuar një imazh më negativ të disa ish-lojtarëve dhe lojtarëve aktuale, ish-trajnerëve dhe ish-presidentëve.
Në të njëjtën kohë, dokumentet e Cadena SER dëshmojnë se të njëjtat llogari u përdorën për të shpërndarë informacione për ta promovuar punën e bërë nga presidenti Josep Maria Bartomeu dhe drejtuesit e tjerë të Barcelonës.
Gjashtë llogaritë në Facebook që menaxhoheshin nga I3Ventures janë: Més que un club (66,000 ndjekës), Respeto y Deporte (56,000), Alter Sports (27,000), Sport Leaks (21,000), Justicia y Diálogo en el Deporte (8,500) dhe Jaume, un film de terror (5,000).
Dokumenti 36-faqësh i publikuar nga Cadena Ser është i krijuar nga vetë kompania I3Ventures, e cila dërgonte raporte të tilla te drejtuesit e Barcelonës në mënyrë periodike. Në këtë dokument përfshihen informata që do t’i dinin vetëm administratorët e atyre llogarive.