Sfidat e papunësisë afatgjatë në Kosovë

Prishtinë | 16 Dhj 2018 | 12:40 | Nga Agnesa Uka

Me shtetësinë e saj dhe me moshën mesatare të popullsisë së saj (26 vjet), Kosova është vendi më i ri në kontinentin e Evropës. Kur flasim për pasojat dhe rezultatet që ka, papunësia nuk është një problem i panjohur në Kosovë.

Kosova karakterizohet nga shkalla e lartë e papunësisë, ku 32.90% e popullsisë janë të papunë dhe rreth 60% e tyre janë të rinjtë mes moshës 15-25 vjeç. Kosova ka një papunësi të qëndrueshme ose stabile, e cila mund të lë shumë pasoja në ekonomi.

Një nga pyetjet më sfiduese në ekonomi është se si disa punëtorë mbeten të papunë për një periudhë të gjatë kohore. Papunësia afatgjatë e lartë dhe e vazhdueshme në Kosovë është bërë një element i spikatur i tregjeve të punës të rajonit. Duke e pasur parasysh natyrën e ngurtë dhe jofleksibile të tregut të punës në Kosovë, gjithashtu edhe kohën që nevojitet për reforma në sistemin e edukimit si dhe atë të trajnimit, papunësia – posaçërisht për të rinjtë – është problem serioz që rezulton që shumë të papunë të bëhen të papunë afatgjatë.

Papunësia afatgjatë i referohet njerëzve që janë të papunë për 12 muaj ose më shumë. Shkalla e papunsisë afatgjatë tregon përqindjen e këtyre të papunëve afatgjatë mes gjithë të papunëve në vend.

Papunësia matet zakonisht nga anketat kombëtare të fuqisë punëtore. Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP) në Kosovë përmbanë të dhëna mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, gjendjen e punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe fushave të tjera të tregut të punës.

Në tremujorin e dytë të 2018, 38.20% e të rinjve (15-19) kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj. Kjo anketë tregon që nga 39.20% e popullsisë që është ekonomikisht aktive, 26.50% (123.464) janë të papunë.

Sipas AFP, në Kosovë është një numër i madh i te papunëve (60.20%), të cilët janë të papunë për më gjatë se 12 muaj. Gjithashtu, gjatë këtij studimi janë vërejtur edhe dallime gjinore; 62.1% e meshkujve dhe 53.4% e femrave janë të papunë afatgjatë. Në moshë më të re, përqindja e femrave që janë të papunësuara për më shumë se një vit është më e vogël se ajo e meshkujve. Anketa tregon se gjasat për të qenë i/e papunë për më shumë se një vit rriten me moshën.

Prandaj, përqindje e papunësisë afatgjatë rritet më shumë te femrat në moshë më të vjetër. Papunësia afatgjatë e femrave të moshës 30-34 arrin 67.2% dhe për meshkujt e të njejtës moshë 65.4%. Përveç kësaj, për grup moshën 55-59, 100% e femrave janë të papunësuara për me shumë se një vit në krahasim me 89.6% e meshkujve. Për më shumë, vetëm 75.4% e meshkujve janë të papunë për më shumë se 12 muaj në grup moshën 60-64 në krahasim me 100% e femrave.
Kohëzgjatja e papunësisë është si formë matëse e rëndësishme e ashpërsisë së papunësisë në tregun e punës.

Përveç kësaj, hulumtimet kanë treguar se punëtorët që qëndrojnë më gjatë të papunë në Kosovë, kanë shans më të më të ulët për të gjetur një punë të re sa më gjatë të mbeten të papunë. Periudha e gjatë e papunësisë e zvogëlon kapitalin njerëzor të një individi dhe aftësitë e atij individi përkeqësohet nga mungesa e përdorimit të tyre. Për më shumë, papunësia afatgjatë mund të funksionojë si sinjal negativ i produktiviteit të një individi tek punëdhënësi potencial.

Papunësia strukturore është njëra nga arsyet për kohëzgjatjen e papunësisë për shkak të mungesës të kapitalit njerëzor. Ky lloj i papunsisë vjen nga ndryshmet ekonomike, siç janë ndryshimi i strukturës së GDP-së dhe ndryshimet në tregtinë ndërkombëtare.

Gjithashtu në Kosovë ekziston një mospërputhje në mes të kërkesës dhe ofertës për punë për shkak se punëtorët kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur në vendet e reja të punës.

Papunësia stukturore vazhdon të ekzistojë për shkak të mobilitetit të ulët të punëtorëve në kuptimin gjeografik dhe profesional.. Kjo mund të ndodh për shkak të ndryshimeve në strukturën e ekonomisë – disa sektorë në ekonomi mund të jenë në rënie ndërsa të tjerët mund të rriten.

Për shembull, në Kosovë, sektori industrial është në rënie ndërsa sektori i shërbimeve po rritet. Një nga aspektet më problematike të papunësisë në vendet në tranzicion është papunësia afatgjatë.

Përveç kostos ekonomike, në Kosovë ka gjithashtu edhe kosto sociale. Papunësia afatgjatë shkakton stres të konsiderueshëm mendor dhe material për të prekurit dhe familjet e tyre. Papunësia afatgjatë është gjithashtu një shqetësim i veçantë për hartuesit e politikave, pasi ritmet e larta të papunësisë afatgjatë tregojnë se tregjet e punës funksionojnë në mënyrë njoefikase. Ky tregues matet si përqindje e të papunëve.

Shumë persona pas një kohe heqin dorë së kërkuari punë, sepse besojnë se nuk do mund të gjejnë punë. Me fjalë të tjera, ata dekurajohen. Meqenëse punëtorët e dekurajuar nuk janë më në kërkim të punësimit, ata nuk llogariten si aktiv në forcën e punës. Kjo do të thotë se shkalla e papunësisë në titull, e cila bazohet vetëm në numrin aktiv të fuqisë punëtore, nuk merr parasysh numrin e punëtorëve të dekurajuar në Kosovë. Më pas kjo ndikon në statistikat e papunësisë duke i bërë ato jorealise, duke e devijuar papunësinë, pasi që personat dekurajimi bënë të duket sikur në Kosovë ka më pak persona të papunësuar.

Në mënyrë që të ulet shkalla e papunësisë nga këndvështrimi afatgjatë, rendësi të veqantë kanë edhe stabiliteti politik dhe investimet: të Kosovës dhe ato të huaja. Disa faktorë të tjerë që ndihmojnë në uljen e papunsisë dhe ngritjen e punësimit janë edukimi në aftësitë personale dhe profesionale, gjithashtu dhe implementimi i programeve të punësimit.

Boshllëku aktual në Kosovë që gjendet mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës mund të tejkalohet nëpëmjet programeve të trajnimit. Për më shume disproporcioni në kuantitet mes të papunëve dhe të punësuarve mund të reduktohet nëpërmjet nxitjes së rritjes ekonomike dhe investimeve.

(***Autorja është studente e RIT Kosova – A.U.K.)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme