Sfidat për zgjedhjen e sekretarit të ri të NATO-s

Prishtinë | 27 Maj 2023 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Gara për udhëheqësin e ri të NATO-s po intensifikohet. Por, ajo po zhvillohet kryesisht në prapaskenë, pa asnjë shenjë të një fituesi të qartë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, norvegjezi Jens Stoltenberg do të japë dorëheqjen në fund të shtatorit, pas nëntë vjetësh në këtë post.

Shumë anëtarë të aleancës do të dëshironin që për pasardhësin e tij të merrej një vendim gjatë, ose para takimit të NATO-s në Lituani, në mes të korrikut.

Kjo nuk u jep 31 vendeve të NATO-s shumë kohë për të krijuar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e udhëheqësit të ri. Ata gjithashtu mund t’i kërkojnë zotit Stoltenberg që ta zgjasë mandatin e tij për herë të katërt.

Udhëheqësi i ardhshëm do të marrë drejtimin e aleancës në një kohë kritike, duke u përballur me sfidat e ruajtjes së unitetit të aleatëve në mbështetjen për Ukrainën dhe shmangien e një përshkallëzimi të situatës, që do ta çonte NATO-n në një luftë direkte me Rusinë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace deklaroi javën e kaluar, se do të dëshironte ta merrte këtë post. Por, duke marrë parasysh që disa qeveri kërkojnë të emërojnë gruan e parë në këtë post, kryeministrja daneze Mette Frederiksen është bërë një pretendente më e forte për postin.

Ndonëse një rol shumë publik, gara është jashtëzakonisht e fshehtë dhe e bazuar kryesisht në konsultimet midis udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s dhe diplomatëve. Konsultimet do të vazhdojnë derisa të gjithë anëtarët e NATO-s të bien dakord për një kandidat për postin.

Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO-s që shërbeu në Bruksel për 38 vjet, tha se udhëheqësit do të kërkojnë një politikan me aftësi të forta komunikuese dhe një diplomat shumë të aftë.

“Ruajtja e unitetit dhe komunikimi me të gjithë aleatët janë shumë të rëndësishme për të kryer punët e nevojshme”, thotë zoti Shea, i cili tani punon në organizatën Chatham House.

Shumë diplomatë e shohin britanikun Wallace si një mundësi të vështirë për këtë detyrë, megjithëse ai gëzon një respekt të gjerë në të gjithë aleancën. Dëshira nga disa vende anëtare për të zgjedhur një grua në këtë post i zvogëlon shanset e tij.

Shumë anëtarë të NATO-s do të preferonin për këtë post një ish-kryeministër ose ish-president në mënyrë që shefi i NATO-s të ketë ndikim politik të nivelit të lartë. Stoltenberg, 64 vjeç, ka qenë kryeministër i Norvegjisë.

Disa vende të tjera, veçanërisht Franca, duan dikë nga një vend i Bashkimit Evropian, duke shpresuar për një bashkëpunim më të ngushtë midis NATO-s dhe BE-së.

Kryeministrja daneze Frederiksen i plotëson të gjitha kriteret e mësipërme. Ndonëse thotë se nuk është kandidate, ajo nuk ka thënë se nuk është e interesuar për këtë post. Diplomatët e NATO-s thonë se ajo në prapaskenë po konsiderohet si një kandidate serioze.

Të ngjashme