Drejtori i Instituti Epik, Demush Shasha, ka thënë se Serbia është duke e kërkuar një asociacion shumë të fuqishëm.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se lidërët kosovartë kanë frikë se krijimi i një asociacioni të tillë nuk do të shpërblehet me njohje të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë është kriter kyç për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
“Lajçak dhe BE si tërësi garantojnë se marrëveshja përfundimtare do të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, do jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të ruajë integritetin territorial të Kosovës”.
“Çfarë ai pret nga pala kosovare është që të respektojmë obligimet që vet i kemi marrë në vitin 2013 dhe 2015 sa i përket asociacionit. Ajo çfarë pritet nga në është që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të dalim me një propozim se si do të duket ky asociacion”.
Sipas Shashës, Lajçak pret që Kosova ta bëjë hapin e parë për të lejuar vazhdimin e dialogut.
“Nga këto mesazhe mund të kuptohet se çështja e asociacionit është maja e ajsbergut. Problemet e asociacionit janë më të thella. Tani bëhen 10 vjet që kur ka filluar dialogu. Bëhen 2 vjet nga letra e Trump që ka premtuar marrëveshje historike. Koha po kalon dhe progres po ka jashtëzakonisht pak në lidhje me dialogun”.
“Janë dy pengesa: Në anën e Kosovës, sfida kryesore sa i përket dialogut është mungesa e një konsensusi të brendshëm që praktikisht shprehet me 2/3 në Kuvend. Është jashtëzakonisht vështirë të mendojmë se mund të arrihet progres pa pasur një konsensus në Kuvend i cili përkthehet në 2/3”.
“Në anën tjetër, Serbia nuk ka karrot për t’u dakorduar për marrëveshjen përfundimtare. Pse të heq dorë Serbia nga Kosova, çfarë është përfitimi?. Këto mungesa do të shkaktojnë telashe në çështjen e asociacionit”.
“Secili lider i Kosovës pajtohet se nuk ka asnjë telashe që të krijohet asociacioni në të njëjtën formë siç është edhe asociacioni i komunave të Kosovës”.
“Por, Serbia e kërkon një asociacion shumë më të fuqishëm. Andaj, liderët tanë kanë frikë se krijimi i një asociacioni të tillë nuk do të shpërblehet me njohje”.
“Problemi është që mazhoranca e sotme nuk ka mundësi që të shtyjë përpara as gjërat shumë më të thjeshta. Të gjithë po shohin se çfarë po ndodh me ligjin për rimëkëmbje ekonomike”.