Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka rialokuar 102 milionë euro për paga dhe pagesa retroaktive, ndërsa rreth 20 milionë euro janë paraparë për pensionet. Punëtorët dhe pensionistët meritojnë mbështetje, por sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, shteti duhet të planifikojë dhe të mbrojë edhe interesat e tij strategjike. Shahini […]
Shahini: A bëri Kosova gjithçka për mbrojtjen juridike në Hagë?

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka rialokuar 102 milionë euro për paga dhe pagesa retroaktive, ndërsa rreth 20 milionë euro janë paraparë për pensionet.
Punëtorët dhe pensionistët meritojnë mbështetje, por sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, shteti duhet të planifikojë dhe të mbrojë edhe interesat e tij strategjike.
Shahini ka ngritur shqetësimin për mjetet financiare të shpenzuara për mbrojtjen dhe obligimet që lidhen me proceset gjyqësore në Hagë. Sipas tij, deri në shtator 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 40.6 milionë euro për këto procese.
Ai kërkon që institucionet të analizojnë nëse Kosova, që nga fillimi i proceseve në Hagë, ka bërë gjithçka të mundur për të siguruar mbrojtjen më të fuqishme juridike.
“Pas gjashtë vitesh, pyetja është e pashmangshme: A bëri Kosova që nga dita e parë gjithçka që ishte e mundur për mbrojtjen më të fuqishme juridike dhe çka është duke bërë sot?”, ka deklaruar Shahini.
Sipas tij, duhet të shqyrtohet nëse ka pasur një strategji të qartë shtetërore, nëse janë angazhuar ekipet më të specializuara ndërkombëtare dhe nëse janë përdorur të gjitha kapacitetet që kishte në dispozicion shteti.
Shahini u ka bërë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë që të ndërmarrin një analizë të plotë institucionale, përfshirë mënyrën e angazhimit dhe transparencën mbi shpenzimet e lidhura me proceset në Hagë.
Ai kërkon gjithashtu të shqyrtohet nëse nevojiten ndryshime ligjore për krijimin e një mekanizmi më të fuqishëm shtetëror për mbrojtjen juridike të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që përballen me procese në Hagë.
“Shteti nuk duhet të reagojë pasi kriza të ketë ardhur me vonesë. Shteti duhet të planifikojë, të mbrojë dhe të veprojë me kohë. Koha për përgjegjësi dhe veprim institucional është tani, sepse nesër është vonë”, tha ai.











