Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe rrjeti i marketeve Viva Fresh Store kanë organizuar hapjen e Ekspozimit dhe Promovimit të Prodhimeve Vendëse në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2019” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?, raporton EkonomiaOnline.
Kryetari i AKB-së Agim Shahini ka thënë se këtë vit prodhimet vendëse janë më mirë se vitin e kaluar fal taksës 100 për qind.
“Nga viti në vit kemi kaluar shumë kilometra e shumë qytete për të ndërruar mentalitetin konsumues dhe kjo ka bërë që ku do që shkojmë se fjala konsum i prodhimeve vendore tash është bërë mik i krejt kosovarëve. Këtë vit Ne jemi shumë mirë falë taksës 100 për qind që e mbështeti drejtpërdrejtë prodhimet vendore dhe falë shumë iniciativa të marra nga AKB dhe institucionet e shtetit për të mirë të ekonomisë dhe prodhimit të vendit. Sot ne kemi shumë prodhues të vendit për të cilën ne si Kosovë mburremi se kanë krijuar brend se janë në Kosovë dhe përtej oqeanit dhe kjo na jep edhe më shumë motiv për të ecur dhe motivuar prodhimet vendore, ka thënë ai.
Shahini ka thënë se kjo moto “Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?”, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Liridon Berisha, drejtor marketingut në Viva Fresh, ka thënë se raftet në Viva Fresh po mbushen me prodhime vendëse.
“Ky nuk është eventi i fundit se vitin e ardhshëm do të bëjmë edhe më shumë për këtë event. Unë jam i lumtur që raftet tona po mbushen me prodhime vendore. Ne si kompani i kemi dhënë fokus të rëndësishëm për prodhimet vendore. Çdo vit kemi rritje të shitjeve të prodhimeve vendore dhe jemi duke i përkrahur maksimalisht në mënyrë që t’i tejkalojmë ose ti zëvendësojmë produktet e importit”, ka thënë ai.