Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka deklaruar se Drejtoria e Arsimit dhe menaxhmenti i shkollës “Pavarësia” e dënojnë fuqishëm incidentin e fundit në këtë institucion arsimor, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë dhe sigurisë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë të ditur se autoritetet komunale janë në pritje të një raporti të detajuar nga shkolla për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të vlerësuar nëse do të ndërmerren masa administrative ndaj palëve të përfshira.
“Fillimisht duhet të theksojmë se ne si Drejtoria e Arsimit, po bashkë me drejtorinë e shkollës, dënojmë fuqishëm një sjellje të tillë të mësimdhënësit, pavarësisht rrethanave që kanë çuar në një sjellje të tillë. Rasti përtej kësaj deklarate veçse është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë dhe neve nuk na takon që të përzihemi në ato procedur. Sa i përket kompetencave tona se ku kjo bie në fushveprimin tonë si Drejtori e Arsimit, jemi duke prit nga shkolla që të marrim një raport të detajuar, duke përfshirë edhe informata mbi sjelljen e një apo më shumë nxënësve, sepse po aludohet që ka pas edhe të tjerë të përfshirë. Derisa ne nuk i kemi këto informata, nuk mund të marrim një veprim konkret në fushveprimin tonë”, tha ai.
Shahini ka theksuar se askush nuk duhet të mbetet pa masa adekuate ndëshkimi ose rehabilitimi, përfshirë edhe nxënësit, duke shtuar se duhet të shqyrtohet nëse shkolla, mësimdhënësi, kujdestari i klasës dhe shërbimet mbështetëse kanë vepruar mjaftueshëm për parandalimin e rasteve të tilla.
“Ajo që duhet të ceket është që askush, përfshirë edhe nxënësit në këtë rast, nuk duhet të lëshohet pa masa adekuate të ndëshkimit ose të rehabilitimit. Sepse nëse flasim për nxënësin dhe për moshën e tij, sigurisht që duhet të kemi parasysh të trajtojmë edhe elementet e tjera se a është marrë shkolla mjaftueshëm, mësimdhënësi, kujdestari i klasës, shërbimi mbështetës përbrenda shkollës për parandalimin e një rasti të tillë”, tha ai.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e kapaciteteve profesionale në shkolla, duke përmendur mungesën e psikologëve dhe, sipas tij, formulën e gabuar të financimit që rezulton me një numër të madh nxënësish për një psikolog. Po ashtu, Shahini ka kritikuar përzierjen e ministrisë në kompetenca përmes udhëzimeve administrative dhe rregulloreve, të cilat, sipas tij, e bëjnë më të paqartë punën e mësimdhënësve dhe rolin e prindërve.
“Është edhe një element tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm, që fatkeqësisht shkollat po lihen sot të pambrojtura dhe mësimdhënësit në këtë situatë sot gjenden shpesh, për shkak të pikërisht kësaj që thashë mungesës së kapaciteteve, formulës së gabuar të financimit që përcakton një numër të vogël të psikologëve për shkolla, ose një numër të madh të nxënësve për një psikolog. Po ashtu kemi një përzierje thuajse të qëllimshme nga ana e ministrisë në kompetenca përmes udhëzimeve administrative dhe rregulloreve, që shpeshherë bëjnë më të paqartë dhe më të vështirë punën e mësimdhënësit, rolin e prindit dhe rolin e drejtorisë së shkollës apo drejtorisë së arsimit”, tha ai.
Ai ka deklaruar se përgjegjësia për raste të tilla nuk mund t’i bartet vetëm shkollës, duke përmendur edhe institucionet e sigurisë, prokurorinë dhe shërbimet sociale, për të cilat ka thënë se shpeshherë nuk e kryejnë punën e tyre dhe se shumë probleme shoqërore po reflektohen në shkolla.
“Pra kemi shumë elemente që nuk po trajtohen nga organet e tjera. Përgjegjës nuk mund të jetë vetëm shkolla. Kemi edhe organet e sigurisë, policinë, prokurorinë, shërbimet sociale, të cilët konsideroj që në masë të madhe dhe shpeshherë nuk e kryejnë punën e tyre dhe prandaj të gjitha këto përfundojnë në shkollat tona duke qenë si bazë e shkarkimit të thuajse të gjitha dështimeve të shoqërisë ose problemeve që shoqëria jonë sot ka”, tha ai.

