Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se ekonomia dhe shëndeti publik janë të lidhura ngusht njëra me tjetrën, por ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po di as njërën as tjetrën.
Në një postim në Facebook, Shahir ka theksuar se pa ekonomi të shëndosh shëndeti publik do të përkeqësohet edhe më shumë.
Postimi i plotë i Shahinit:
Qeveria liroi masat javë më parë pa asnjë kusht, pa e analizuar mirë efektin pozitiv dhe negativ se grumbullimi nëpër klube nate, dasma e ahengje deri në 500 persona dhe ardhjen e diasporës mund të sjellin të mira ekonomike por mund të rrezikojë shëndetin publik.
Infektimi masiv ishte i pritshëm pas paralajmërimit nga OBSH-së se përhapja e Covidit dhe varianti Delta tash i ka përfshi shumë shtete në botë.
Masat e reja të qeverisë janë sa të vonuara për mbrojtjen e shëndetit publik aq edhe të dëmshme ekonomikisht dhe kundër të drejtave të njeriut. Asnjë vend në botë nuk obligon qytetarët e vet të vaksinohen, por me masa vetëdijesuese dhe stimuluese po arrin që të sigurojnë dhe të marrin vaksina pa pritje dhe shtyrje në rend.
Ora policore është krejtësisht e panevojshme pasi që lokalet janë të mbyllura dhe qarkullimi i natës bie rreth 90% i qytetareve në krahasim me atë të ditës, kur kontaktet janë më masive dhe rreziku është me i madh për t’u infektuar.
Kurse aktivizimi i qindra policëve për orë policore do të jetë kosto shtesë financiare për buxhetin e shtetit.
Kush do jetë përgjegjës për humbjen e jetës të 36 qytetarëve brenda 24 orëve të fundit dhe kush do t’i mbulojë humbjen e më shumë të rreth 50 milionë € në ekonominë e Kosovës, pasi do të detyrohen të mbyllen nga sot sektorët e ndryshëm biznesor pa fajin e tyre por me vendim obligues shtetëror.
AKB e rekomandon qeverinë që para çdo vendimi të bën SWOT analizë të gjendjes pa pretendime politike, por të marrë vendime proporcionale në bazë të analizës që rezulton.