Shahini: LDK-ja ka një bazë të fuqishme të intelektualëve

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 09:05 | Nga Resmije Ballazhi-Jahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka një bazë të fuqishme të intelektualëve dhe është e bindur në fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë kandidatja për deputete nga kjo parti, profesoresha Mimoza Shahini.

Gjatë një interviste për Ekonomia Online, Shahini mes tjerash tha se nëse arrin të fitojë mandatin e deputetes do të jetë një zë i fuqishëm për gratë e veteranëve të luftës.

“Një zë i fuqishëm do të jem edhe për  komunitetet e ndryshme të cilat nuk janë përfaqësuar  asnjëherë denjësisht në Parlamentin e Kosovës, e kam fjalën për personat me nevoja të veçanta, gratë e veteranëve të luftës, të cilat kalojnë  gjithmonë të heshtura dhe mendoj që pavarësisht  se flitet shumë për luftën, nuk është bërë asgjë për veteranët, e kam fjalën në pjesën  e shëndetit të tyre, integrimit të tyre dhe edukimit të tyre në shoqëri”, tha ajo.

Tutje, Shahini potencon se programi i partisë për të cilën ajo garon si kandidate për deputete, ka një program tepër të mirë ku pa hezitim e quan program perfekt për të mirën e qytetarëve dhe të vendit.

“Sigurisht që jam e  bindur në një fitore shumë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse, ne kemi filluar një program dhe do ta çojmë atë më përpara. Partia jonë ka një  bazë të fuqishme të intelektualëve të cilët mund të avancojmë dhe mund të çojmë përpara programin e Lidhjes Demokratike”.

Ndërsa sa i përket largimit të Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shahini nuk komenton shumë rreth saj, ngase ajo nuk e sheh më Vjosën dhe LDK-në të lidhura bashkë.

“Vjosa, është larguar nga Lidhja Demokratike, kështu që për momentin do të ishte një lloj paragjykimi që unë  ta lidhja Vjosën me Lidhjen Demokratike, sepse ato  nuk janë të lidhura bashkë”.

Intervista e plotë:

EO: Zonja Shahini, ju po kandidoni për të dytën herë në zgjedhjet parlamentare. Herën e kaluar për pak vota nuk keni mundur të zgjidheni deputete, në këtë kandidaturë, çka prisni nga këto zgjedhje?

Shahini: Të jem e sinqertë, në këto zgjedhje së pari pres që të respektohen principet e demokracisë, pra të gjitha  partitë të hyjnë në një luftë programore dhe jo në një luftë e cila pasqyron simbolizmin, konfliktet apo një fjalor i cili nuk është aspak i përshtatshëm për kontekstin nëpër të cilën ne jetojmë dhe e dyta unë pres  që çdo qytetar i këtij vendi që të shkojë e të votojë njeriun më të mirë, atë që mendon se do të jetë zëri i tij apo i saj në mënyrë që  të kemi një parlament që të mbledhë njerëz të mirë  të cilët janë profesionistë dhe janë të aftë të sjellin  një cilësi shumë më të mirë në Parlamentin e Kosovës  që është një ndër institucionet më të larta të shtetit tonë dhe mbi  të cilat ndërtohen të gjitha ligjet që na shërbejnë për  funksionalizimin e shtetit. Kurse e treta, sigurisht që jam e  bindur në një fitore shumë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse, ne kemi filluar një program dhe do ta çojmë atë më përpara.

EO: Pse keni vendosur që të kandidoni përsëri në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Shahini: Shikoni, unë në zgjedhjet e kaluara sigurisht kam qenë një figurë  e re për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa këtë herë, e para sepse dua të ketë vazhdimësi mënyra se si e shikoj unë Lidhjen Demokratike të Kosovës, programin e saj, apo pritjet të cilat i ka elektorati, e dyta unë mendoj  që mbështetur mbi trashëgiminë time qoftë personale, atë familjare por edhe profesionale  unë mendoj që do të jem zëri jo vetëm i qytetarëve por edhe  i programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili është një program perfekt. Unë jam mbështetur në të, në momentin  e kandidimit dhe tjetra, unë besoj fuqimisht që Lidhja  Demokratike ka një program që përfaqëson edhe vlerat e qytetarëve atë të cilët e presin qytetarët. Unë me përgjegjësi të plotë, them se ne duhet të reflektojmë  në gjëra që nuk kanë shkuar, por sigurisht partia jonë ka një  bazë të fuqishme të intelektualëve të cilët mund  të avancojmë dhe mund të çojmë përpara programin e Lidhjes Demokratike.

EO: Zonja Shahini, ju si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, cili do të jetë kontributi juaj?

Shahini: Unë mendoj që kontributi im do të jetë pothuajse në të gjitha fushat, sepse edhe profesioni  im ka qenë i lidhur me disa aspekte të funksionimit jo vetëm timit por edhe të qytetarëve nëpër ato të cilat unë kam shërbyer, por si do qoftë janë fushat në të cilat unë do të fokusohem më së shumti.  Është fusha e shëndetësisë, e cila është edhe një nga pikat më të dobëta  që ne e kemi dhe që duhet të investojmë për ta përmirësuar fushën e shëndetësisë dhe e dyta është edhe fusha e  arsimit e cila  është e lidhur ngushtë jo vetëm me sferën e studimeve  të larta siç është universiteti apo në shkolla fillore, por unë do t’i vë një theks të jashtëzakonshëm, do të mundohem të jem promotore e edukimit të hershëm të periudhës 0-5 vjeç që është një nga periudhat më të neglizhuara pavarësisht se ka qenë prioritet i politikave të çdo qeverie që kanë ardhur. Duke qenë e lidhur ngushtë me këtë fushë, sigurisht se do të mundohem të  fokusohem edhe në këtë. Një zë i fuqishëm do të jem edhe për  komunitetet e ndryshme të cilat nuk janë përfaqësuar  asnjëherë denjësisht në Parlamentin e Kosovës, e kam fjalën për personat  me nevoja të veçanta, gratë e veteranëve të luftës, të cilat kalojnë  gjithmonë të heshtura dhe mendoj që pavarësisht  se flitet shumë për luftën, nuk është bërë asgjë për veteranët, e kam fjalën në pjesën  e shëndetit të tyre, integrimit të tyre dhe edukimit të tyre në shoqëri. Ka dhe popullatë tjetër siç është dhe popullata e vjetër, ajo prej moshës 65 vjet, pensionistët, kështu që duke u lidhur nga eksperiencat e mia profesionale mendoj që për ta do të jem zëri i tyre në Parlament.

EO: Ku e shihni Lidhjen Demokratike të Kosovës pas datës 14 shkurt?

Shahini: Unë mendoj qe ne do të fitojmë, do të jemi të angazhuar maksimalisht në vazhdimin  e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por  sigurisht, duhet të jem e kujdesshme në faktin që rezultatet gjithashtu do të formsojnë edhe rrugën që do ta ndjek Lidhja Demokratike, pas zgjedhjeve. Por, mendoj se unë do të jem shumë aktive brenda Lidhjes Demokratike dhe ne jemi të hapur  për reforma dhe për ndryshime dhe brenda Lidhjes Demokratike gjithmonë në varësi të rrethanave apo momentit  që do të gjendemi pas zgjedhjeve.

EO: Sa do ta dëmtojë largimi i Vjosa Osmanit Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Shahini: Unë, mendoj që Vjosa ka bërë një zgjedhje personale për të cilën askush nuk mund ta gjykojë dhe unë e respektoj vendimin e saj. Mendoj që vendimi i saj  është i lidhur ngushtësisht me pozicionin e saj në politikë, është i lidhur me ambiciet e saja në politikë, prandaj  mendoj që Vjosa, është larguar nga Lidhja Demokratike, kështu që për momentin do të ishte një lloj paragjykimi që unë  ta lidhja Vjosën me Lidhjen Demokratike, sepse ato nuk janë të lidhura bashkë.

Të ngjashme