Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin në lidhje më fondet e Bashkimit Evropian, që sipas tij 455 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian janë përfituar nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë euro të vetme.
E për këtë kryetari i saj, Agim Shahini gishtin e fajit po e drejton tek mungesa e institucioneve për tash e gati një vit.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për faktin se 455 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian janë përfituar nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë euro të vetme. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të Bashkimit Evropian.Ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë dhe bllokadës politike në Kosovë. Derisa vendet e rajonit po ecin përpara me investime dhe zhvillim ekonomik, Kosova po mbetet peng i krizës politike dhe moskonstituimit të institucioneve, duke rrezikuar humbjen e fondeve jetike për bizneset, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova ka të drejtë të përfitojë rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes, më së shumti për kokë banori në Ballkanin Perëndimor, por për shkak të dështimit politik po rrezikon t’i humbasë këto mjete të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.
Shahini ka bërë thirrje që të ndërmerr veprime të menjëhershme duke shtuar se bizneset po humbin dhe këtë po e paguajnë qytetarët.
“BE-ja ishte gati, fondet ishin aty, por Kosova dështoi për shkak të mungesës së përgjegjësisë politike. Ekonomia e vendit nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng e krizave politike. Humbja e këtyre fondeve është dështim serioz që po e paguajnë bizneset dhe qytetarët. Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon veprim të menjëhershëm, konstituim të institucioneve dhe miratim pa vonesë të Planit të Rritjes dhe buxhetit të vendit. Bizneset po humbin. Qytetarët po paguajnë. Politika duhet të veprojë tani”, ka thënë ai.