“Mosbindja” e Qeverisë Kurti pas thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, po rrezikon raportet ndërmjet Amerikës dhe Kosovës.
Përveç prishjes së marrëdhënieve ShBA-Kosovë, qytetarët mund të bien në grackë të humbjes së sigurisë, e kjo mund të ndodhë për teke individuale e politike, kështu u shpreh për Ekonomia Online, Kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Shahini vlerëson se presioni i Amerikës është i njëjte si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë.
Sipas tij, ShBA-ja dëshiron ta heq Kosovën nga agjenda e problemeve dhe ta shoh si partner në Ballkan.
“Presioni i ShBA-së ndaj institucioneve të Kosovës është paralel edhe ndaj Serbisë. AKB-ja e vlerëson se kjo Qeveri është duke u vonuar dhe asnjëherë nuk po merr vendim të duhur në moment të duhur. Tani kemi ngrirje të fondeve për Kosovën, paralajmërime që mund të tërhiqet ushtria e ShBA-së nga Kosova”.
“Në momentin që ndodhë, qytetarët do ta humbin sigurinë për të jetuar në vend. Për teke individuale politike të liderëve tonë, qytetarët nuk mund të bien në grackë të humbjes së sigurisë së vet”, tha ai.
“ShBA-ja dëshiron ta heq Kosovën nga agjenda e problemeve dhe ta shoh si partner në Ballkan. Nuk duhet ta humbin mbështetjen e tyre”.
Mes tjerash, Shahini kërkoi që mos të nënçmohen thirrjet e ShBA-së, siç tha ai është koha e fundit për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
“Qeveria nuk ka parim dhe nuk din se çfarë donë, nuk kanë as partitë opozitare. Duhet një unitet, kjo vjen nga presidenti i vendit. Nuk duhet të nënçmohen thirrjet e presidentit për të marrë vendim sepse një gjë e tillë ka ndodhur edhe gjatë Rambujesë dhe pavarësisë së vendit”.
“Tani është momenti që t’i jepmi fund dialogut me Serbisë. Do të rezultojë sipas planit dhe dinamikës dhe projekteve të fuqive të mëdha. Ne duhet t’i nënshtrohemi pavarësisht kërkesave të brendshme, jo presionit, por rekomandimeve”, ka thënë Shahini.
Ndër të tjera, ai përmendi marrëveshjet fundit të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kjo do të thotë sipas tij, se Serbia ka shkelur parimet e saj, pavarësisht se është deklaruar se nuk do të ndodhë asnjë marrëveshje pa heqjen e taksës.
“Serbia ka vënë disa kushte ashtu si Kosova, por me ndërhyrje e administratës Donald Trump të gjitha kushtet kanë rënë. Pas këtyre janë nënshkruar disa marrëveshje, qoftë për vija ajrore, hekurudhave dhe autostradave. Serbia i ka shkel parimet e veta dhe kjo ka ndodhë”.