Pjetër Shala, përmes mbrojtjes së tij ka apeluar vendimin e Themelores së Speciales, e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte. Shala ka kërkuar që ky vendim të shfuqizohet, të kthehet në rigjykim rasti ose edhe nëse është e nevojshme, të vendoset një dënim më i përshtatshëm.
“Në dritën e natyrës dhe ndikimit të gabimeve të ligjit, faktit dhe dënimit, si dhe të padrejtësive që i janë shkaktuar të drejtave të Z. Shala për një proces të drejtë, mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli i Apelimit që të shfuqizojë dënimet e vendosura nga Paneli i Gjykatës dhe/ose të kthejë rastin për rigjykim dhe/ose, nëse është e nevojshme, të vendosë një dënim të përshtatshëm”, thuhet në dokumentin e mbrojtjes.
Sipas pikës 14 të këtij dokumenti, mbrojta e apeloi dënimin prej 18 vjetësh pasi sipas tyre ai është i tepërt.
“Z. Shala po apelon dënimin prej 18 vjetësh, pasi ai është manifestisht iracional dhe i tepruar. Paneli i Gjykatës nuk e shqyrtoi fare qëllimin e rehabilitimit dhe ri-integrimit në shoqëri gjatë dënimit. Paneli i Gjykatës nuk e shqyrtoi mjaftueshëm gamën e dënimeve të përshtatshme sipas ligjit vendas dhe nuk aplikoi dënimin më lehtësues. Paneli i Gjykatës gaboi në ligj duke mos siguruar barazi në dënim dhe duke mos shqyrtuar siç duhet dënimet e vendosura në raste të ngjashme dhe të lidhura, për individë që, sipas gjetjeve të vetë gjykatës, kishin përgjegjësi më të madhe për krimet e akuzuara, si dhe duke mos ofruar një opinion të arsyeshëm për arsyen pse zgjodhi të largohej ndjeshëm nga ato dënime”, thuhet në dokument.
Ndryshe, në pikën një të apelimit, mbrojtja e Shalës ka pretenduar se mbështetja e Panelit Gjyqësor në deklaratat vetë-inkriminuese të Shalës i cili nuk kishte përfaqësim ligjor gjatë intervistave, e bën gjykimin ndaj tij të padrejtë.
Në pikën dy të apelimit, pretendohet se Paneli Gjyqësor gaboi duke mos e zbatuar si duhet kornizën ligjore të DhSK-së, për shkak se nuk e njoftoi mbrojtjen nëse deklaratat vetë-inkriminuese të Shalës ishin pranuar në prova materiale.
“Kjo pasiguri vazhdoi edhe gjatë paraqitjes së dokumenteve përfundimtare nga mbrojtja dhe gjatë përfundimeve të gjykatës. Si rezultat, mbrojtja nuk kishte mundësinë e duhur për të shprehur mendimin e saj mbi ato deklarata dhe për t’i komentuar ato pa rrezikuar të drejtën e z.Shala për të mos u inkriminuar”, thuhet në apelimin e mbrojtjes.
Në pikën tre, mbrojtja ka pretenduar se dënimet ndaj Shalës për pikën 1, 2 dhe 4, si dhe dënimi për arrestime të paligjshme gjatë një konflikti të armatosur ishin bazuar në formën e përgjegjësisë që nuk ishte e njohur për ligjin e Kosovës ose atë ndërkombëtar gjatë 1999-ës.
Si rrjedhojë, mbrojtja pretendon se janë shkelur të drejtat e Shalës pasi ai është mbajtur përgjegjës për diçka që nuk ishte e paligjshme në atë periudhë kohore e që kjo bie në kundërshtim me nenet 6 dhe 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në pikën katër, mbrojtja pretendon se Paneli i gjykatës gaboi në ligj kur e dënoi Shalën për pikën 1, 3 dhe 4 për shkak që sipas tyre aktakuza ishte e mangët se nuk kishte detaje të mjaftueshme në lidhje me anëtarët e pretenduar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, aktiviteteve të tij kriminale dhe viktimave.
Më tej, mbrojtja e Shalës thotë se gjykimi ndaj klientit të tyre nuk ishte i drejtë për shkak të kësaj aktakuze të mangët, e cila sipas tyre përmbante akuza të paqarta dhe të grumbulluara. Si rrjedhojë, ata argumentojnë se kjo gjë ka privuar të akuzuarin nga mundësia për t’u mbrojtur më mirë, e që i ka shkaktuar më pastaj dëm të rëndësishëm në procesin gjyqësor.
Gjithashtu, mbrojtja në pikë e radhës thotë se Shala ishte akuzuar për krime ndaj nëntë individëve, ndërsa Paneli e dënoi gabimisht për krime ndaj 18 personave.
“Megjithëse, z. Shala ishte akuzuar për krimin e ndalimit arbitrar dhe torturës ndaj nëntë individëve të listuar në aktakuzë, Paneli i Gjykatës gabimisht e dënoi atë për krimin e ndalimit arbitrar dhe torturës në lidhje me tetëmbëdhjetë individë, nga të cilët nëntë nuk ishin të listuar në aktakuzë”, thuhet në dokument.
Po ashtu, dokumenti shton se ky gabim kërkon rishikimin e dënimit të dhënë.
Në pikën e gjashtë të apelimit, mbrojtja pretendon se Paneli i Gjyqtarëve bëri gabim kur pranoi besueshmërinë e tre dëshmitarëve kryesorë të Prokurorisë. Po ashtu, mbrojtja pretendon se gjyqtarët kanë gabuar edhe kur kanë marrë për bazë deklaratat e disa dëshmitarëve të tjerë.
“Paneli u mbështet gjerësisht në dëshmitë e paverifikuara të shtatë dëshmitarëve, duke përfshirë katër dëshmitarët e ndjerë W04733, W01448, Kryeziu dhe Elezaj. Ai e konsideroi dëshminë e patestuar si të konfirmuar nga dëshmi të tjera të paverifikuara dhe dështoi ta trajtojë këtë informacion me kujdesin e nevojshëm. Po ashtu, Paneli gaboi kur pranoi dëshminë e shkruar të dëshmitarëve të Prokurorisë, TW4-02 dhe TW4-04, pa kryer pyetje nga palët, duke u mbështetur në dëshminë e tyre në një shkallë vendimtare. Kjo ndihmoi në formimin e gjetjeve të dëmshme për Zotin Shala lidhur me çështje për të cilat dëshmitarët kishin informacione shfajësuese”, thuhet tutje në dokument.
Ndërsa në pikën 9, mbrojtja pretendon se gjykatësit morën parasysh faktor jo të duhur dhe iu dha atyre një peshë vendimtare në vlerësimin e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes.
“Në veçanti, Paneli vendosi në mënyrë të papërshtatshme të jepte peshë të madhe mendimeve politike të dëshmitarëve dhe armiqësisë së hapur që ata shprehnin ndaj DhSK-së, si dhe mbështetjes së tyre për UÇK-në”, thuhet në dokument.
Gjithashtu, për të njëjtën pikë, mbrojtja ka pretenduar se gjyqtarët kanë dështuar që t’ia jepin peshën e duhur dëshmive që tregonin se Shala nuk ishte pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe se nuk kishte qëllime që të kryente krime brenda qëllimit të përbashkët kriminal në Fabrikën e Metalit në Kukës.
Kurse, në pikën dhjetë të apelimit, mbrojtja pretendon se trupi gjykues gaboi në ligj kur refuzoi të dëgjonte dëshminë e një dëshmitari të mbrojtjes dhe më pas sipas tye, bëri gjetje të dëmshme në lidhje me çështje për të cilat dëshmitari mund të kishte dëshmuar.
“Duke e refuzuar këtë dëshmi, Paneli bëri gjetje të dëmshme në lidhje me disa çështje për të cilat dëshmitari mund të kishte ofruar informacione ose dëshmi që do të ishin të rëndësishme për mbrojtjen”, thuhet në dokument.
Mbrojtja pretendon se ka gabime në përfundimet e trupit gjykues lidhur me qëllimet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mbi të cilat është dënuar Shala.
Në pikën 13 të apelimit, mbrojtja pretendon se trupi gjykues ka gabuar në ligj kur e shpalli përgjegjës Shalën për vrasjen e viktimës e cila sipas panelit ishte vrarë me dashje nga dy persona të tjerë e që njëri prej tyre ishte Xhemshit Krasniqi.
“Paneli i Gjykatës bëri gabim në ligj dhe fakt kur e gjeti zotin Shala përgjegjës për vrasjen e viktimës, e cila, sipas Panelit, ishte “vrarë me dashje” nga dy persona të tjerë, konkretisht Xhemshit Krasniqi, i cili e qëlloi viktimën, dhe një anëtar tjetër i UÇK-së, i cili e mohoi transferimin e viktimës në spital. Paneli bëri një gabim ligjor dhe faktik dhe abuzoi me diskrecionin e tij kur e konsideroi “të parëndësishëm” faktin nëse zoti Shala kishte ndonjë pozicion përgjegjësie, autoriteti apo kontrolli, ose nëse ai kishte detyrimin për të vepruar në ndonjë mënyrë të caktuar ndaj të arrestuarve në fabrikën e metaleve në Kukës”, thuhet në dokument.
Tutje, theksohet se trupi gjykues gaboi në ligj kur arriti në përfundime se Shala kishte qëllimin për ta vrarë viktimën dhe se sipas mbrojtjes ata nuk bënë vlerësim të arsyeshëm në lidhje me natyrën specifike të qëllimit të Shalës për ta kryer këtë vepër.
“Paneli gaboi gjithashtu kur u mbështet në dëshminë e ekspertit të Prokurorisë, Dolejsi, dhe nuk shqyrtoi dhe/ose nuk ofroi një opinion të arsyeshëm për refuzimin e kundërshtimeve të mbrojtjes ndaj besueshmërisë së kësaj dëshmie”, thuhet tutje në dokument.
Ndryshe, më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishhte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi