Shala dhe Bekteshi pajtohen që deri në fund të javës të hiqen barrierat tregtare

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 11:52 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, priti në takim Ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë Veriore, Kreshnik Bekteshin, raporton Ekonomia Online.

Dy ministrat u dakorduan se pasi të zgjidhen problemet me programet e monitorimit aktiv, dy ministritë do i heqin barrierat dhe masat e reciprocitetit ndërmjet tyre.

“Diskutuam mbi disa probleme që kohët e fundit disa biznese tona i kanë hasur gjatë të bërit tregti në veri dhe pas vendimit për taksë. Ne si qeveri e Kosovës dhe MTI dhe si Agjencion jemi dakorduar sot që Agjencioni ynë do t’i dërgon garancione shtesë Maqedonisë këto që Kosova nuk e ka obligim t’i ketë në vendet e tjera nënshkruese të Ceftës. Agjencioni ynë i Veterinës deri të premten do të sigurojë atë të Maqedonisë për programin e monitorimit aktiv me qëllim që AUVK në Maqedoni ta ketë më të lehtë që pastaj atë produkt ta tregtojë në BE. AUVK në Maqedoni gjatë kësaj jave pritet ta heqë barrierën ndaj Kosovën, por në momentit kur dy palët i përfundojnë këto atëherë do ta eliminojnë masën e vendosur nga ne si MTI”, tha Shala.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, tha se masa nuk është ndërmarrë vetëm për Kosovën, por është marrë për të gjithë shtetet që nuk e implementojnë programin e monitorimit aktiv sa i përket produkteve të peshkut.

“Ne biseduam rreth problematikës sa i përket vendosjes së barrierave nga dy shtete. Si Ministri e Ekonomisë vendosëm pse Maqedonia e Veriut ka marrë një masë të tillë, masa nuk është e ndërmarrë vetëm për Kosovën por është marrë për të gjithë shtetet që nuk e implementojnë programin e monitorimit aktiv sa i përket produkteve të peshkut”.

“Maqedonia e Veriut është më se e sigurt dhe presim që në tetor të fillojnë negociatat me BE-në, ne jemi detyruar që t’i implementojmë këso masa pasi kemi marrë obligime konkrete. Në momentin që AUV nga Kosova dëshmon që do fillojë me implementimin e programeve atëherë ne do të lejojmë importin e këtyre produkteve në vendin tonë. Bashkëpunimi për ne është në interes të zhvillohet dhe thellohet. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha instancat ndërkombëtare”, tha Bekteshi, raporton EO.

Të ngjashme