Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka mbajtur konferencën e fundvitit për medie ku ka shpalosur aktivitetet e MTI-së gjatë vitit 2018 dhe prioritet për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Shala ka përmendur një nga një prioritet i MTI-së, e ndër to ka qenë mbrojtja e prodhuesit vendor, mbrojtje e konsumatorit dhe rritja e eksportit.
“Prioritet i MTI-së kanë qenë mbrojtja e prodhuesit vendor, përkrahja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, rritja e eksportit, mbrojtja e konsumatorit, përmbushja e obligimeve që dalin nga MSA-ja”, tha Shala.
Ai tha se taksa 100 për qind ka prekur direkt prodhuesin e Kosovës.
“Prodhuesit vendor i kemi dhënë prioritet, kemi vendos taksa për pemë, perime, miell, taksa 10% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e që u ngrit 100% këto vendime kanë prekur direkt prodhuesin e Kosovës, fermerin dhe ekonominë e vendit”, tha Shala.
Ai tha se si rezultat i këtij vendimi për taksën ka pasur shtim të vendeve të punës dhe rritje të prodhimit dhe cilësisë.
“Kemi shpërndarë grante 1.6 milionë euro të kompanive të ndryshme dhe presim krijimin e vendeve dhe kualitetin e produkteve. Kemi krijuar kushte të mira për ndërmarrje të vogla e të mesme”, tha Shala.
Ai tha se MTI-ja ka realizuar 93% të buxhetit të saj.
“Gjatë vitit 2018 u subvencionua pjesëmarrja e 83 prodhueseve kosovarë në panaire ndërkombëtare ku janë nënshkruar kontrata për eksport. Kemi mbrojtur konsumatorin dhe kemi lëshuar vendimin për ndalesën e pirjes së duhanit nën 18 vjet, ndalimin e produkteve që nuk i referohen Kosovën me emrin referues të saj, në secilën pikë shitëse të karburanteve ku do jepet çmimi i secilit produkt”, tha Shala, raporton EO.
Shala përmendi edhe ndalesën e lodrave të dëmshme si një sukses të MTI-së. Ai tha se 75% të kritereve të MSA-së janë realizuar nga ana e Kosovës.
“Prioritet i yni për 2019 do të jetë tregu i derivateve të naftës sipas standardeve dhe direktivave të BE-së, promovimi i turizmit dhe do punojmë për strategji nacionale për zhvillimin e turizmit, investimet strategjike të huaja etj”, tha Shala.